Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim volejbollistët dhe basketbollistët e Tiranës që u shpallën kampion këtë sezon.
Ai theksoi se çdo trofe dhe medalje që do t’i shtohet kryeqytetit nga ekipet sportive do të shpërblehet nga bashkia.
“Premtimi që kam dhënë është se do shpërblejmë ata që sjellin një kupë në Bashkinë e Tiranës. Në rastin e futbollit, kësaj here ishte Partizani. Çfarë mendoj unë për Federatën e Futbollit është shumë publike dhe të gjithë e dinë, por nuk jam unë ai që gjykoj. Në finale unë kam thënë: Kush sjell kupë në Tiranë do të shpërblehet. E njëjta gjë vlen edhe për ekipet tuaja, sepse vërtet dua që të ndihet dora e bashkisë, që përtej mbështetjes së përditshme, vlerëson talentin, vlerëson djersën, vlerëson kupat që sillen në Tiranë dhe kjo është shumë e rëndësishme për të gjithë ne”, tha Veliaj.
Sipas kryebashkiakut, sporti në komunitet është tejet i rëndësishëm e për këtë qëndrim ai zbuloi dhe investimin e radhës që do të kryej bashkia në këtë sektor.
“Kemi marrë disa vendime dhe besoj se ky është ndoshta kampionati i fundit që keni zhvilluar te Pallati i Sportit ‘Asllan Rusi’. Vendimi që kemi marrë është se do bëjmë një modernizim total. Ne duhet të kemi një Pallat Sporti për së mbari. Nuk ka asnjë arsye që ta ketë Shkupi, Podgorica, Beogradi, Sarajeva, Zagrebi, dhe mos ta kemi ne. Ndaj, dua me gjithë zemër që të na mbështesni në këtë projekt. Duam të bëjmë më të mirën për këtë qytet. Ndaj, me të njëjtën filozofi me të cilën dolëm kampion, do të dalim kampion edhe në investime”, tha kryebashkiaku.
Top Channel