Nga Ulqini ku zhvilloi takimin e radhës me të rinjtë, Nik Gjeloshaj, kreu i Komunës së Tuzit e njëherësh kryesuesi i listës së Forumit Shqiptar në zgjedhjet e 11 qershorit që mbahen në Mal të Zi, foli edhe për situatën në Kosovë.
Gjeloshaj dënoi ashpër agresionin serb duke theksuar se kjo është një politikë si ajo e viteve ’90.
“Jemi bashkë jemi afër Kosovës për Kosovën dhe gjithë kohën mbështetje, sikur ishim në kohët më të vështira”, tha Gjeloshaj.
Nga ana tjetër Gjeloshaj theksoi se Forumi Shqiptar nuk do ta tradhtojë kurrë Kosovën siç nuk ka tradhtuar asnjë shqiptar asnjëherë.
“Nga Ulqini nga shqiptarët e Malit të Zi edhe njëherë një mbështetje e madhe për Kosovën përmes Forumit Shqiptar”, tha Gjeloshaj.
Ai tha se deputetët e Forumit Shqiptar nuk do reshtin së mbrojturi të drejtat e Kosovës në qeverinë e Malit të Zi, duke ngritur zërin për çdo padrejtësi.
“Interesant e popullit shqiptar në rajon, veçanërisht të Kosovës përsëri do të mbrohen edhe në çdo aspekt aty ku te jemi ne përherë do të përkrahet Kosova. Dhe asnjëherë mos të vihet në pikëpyetje që Kosova mos të jetë e përkrahur nga qeverisja e Malit të Zi”, shtoi Gjeloshaj.
Nik Gjeloshaj po ashtu foli për zhvillimin ekonomik të Tuzit dhe faktin se njëlloj si në Tuz, vota për Forumin Shqiptar do mundësojë zhvillim në të gjitha komunat shqiptare.
“Në Forumin Shqiptar nuk zhvillohet vetëm ekonomia por mbrohen edhe interesat kombëtare shqiptare në Mal të Zi por edhe më gjerë”, përfundoi ai.
Top Channel