Veliaj falenderon banorët e Njësisë 12 dhe Dajtit: “Fitorja erdhi sepse punojmë çdo ditë sikur të jetë fushatë”.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në ndalesën e radhës të turit falënderues për fitoren e 14 majit, u takua me banorët e Lagjes 12 dhe zonës së Dajtit.
“Nuk dua t’i jap mend palës tjetër, se në fakt jam shumë krenar që i mundëm, por kur ata mundohen të kërkojnë fajtorin, fajtori mund të ketë një emër dhe në analizën e tyre ta gjejnë emrin ku të duan, por unë di të them kush është fituesi. Fituesi është ajo forcë, ai grupim njerëzish, ajo familje që nuk kujtohet vetëm në ditët e fushatës, por që fushatën e ka të përditshme.
Ky është shpjegimi i fitores sonë, fakti që kemi qenë me njerëzit përditë, përnatë, me diell, me shi, me tërmet, pandemi dhe njerëzit nuk e harrojnë këtë. Ndaj, ftesa ime është që të vazhdojmë të njëjtën formulë suksese, që ka funksionuar deri tani, të jemi përditë me njerëzit, të punojmë përditë për njerëzit”, u shpreh Veliaj.
Veliaj gjatë takimit me banorët përmendi edhe fushatën e shtrenjtë të opozitës.
“Kur erdhi puna te fushata, krahasuar me 30 ditë luks, me stadiume, me ekrane, foni e koncerte, me autobusë e me kamionë, me taksi, çdo gjë falas, me avionë, njerëzit thanë: “Prit pak, ku ishin këta? 30 ditë paskan pasur shumë pare!”. Fushata jonë modeste bërtiti më shumë, jo se kishte më shumë foni, por veprat tona flisnin më shumë se të gjitha fonitë, ndriçimet dhe ekranet bashkë, sepse njerëzit nuk harrojnë ndjesinë që ti u jep kur je me ta çdo ditë – jo kur të vjen vakti për votime – por kur ti e premton çdo ditë si të jetë dita e fundit e fushatës, sepse për ne çdo ditë është fushatë”, tha ai.
Top Channel