Caritas: Serbia humbet çdo vit një qytet të mesëm

05/06/2023 09:00

Punëtorët nga jashtë janë shumë të rëndësishëm për Gjermaninë, por ata lënë një boshllëk të madh në vendet e tyre, duke përfshirë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

Me ftesë të organizatës humanitare Renovabis, Jelena Miqoviç, drejtuese e Qendrës së Këshillimit për të Kthyerit në Caritas Serbia në Beograd, foli në Würzburg për aspektet negative të migrimit për motive punësimi si pjesë e fushatës “Mungojnë. Gjithmonë. Diku. Migrimi për motive punësimi nga Evropa Lindore – njofton portali i Dioqezës së Würzburgut.

“Çdo vit Serbia humbet një qytet të mesëm”, kështu e përshkruan gjendjen në mënyrë drastike Miqoviç. Vetëm në dhjetë vitet e fundit, nga Serbia kanë emigruar rreth 350.000 njerëz. “Sipas një sondazhi, 80 për qind e të rinjve duan të emigrojnë.”

Specialistë të tillë si mjekë dhe infermierë, si dhe inxhinierë dhe specialistë të IT-së, janë në kërkim të një të ardhme më të mirë jashtë vendit. Edhe tani ka mungesë mjekësh dhe zejtarësh në Serbi.

Gratë e kanë më të vështirë

Situata është veçanërisht problematike për gratë, të cilat shpesh punojnë jashtë vendit si kujdestare ose në sektorin e shërbimeve, thotë Miqoviç dhe shton: “Ato punojnë tre muaj dhe më pas deportohen”. Abuzimi financiar e madje edhe seksual është i zakonshëm.

Ndërsa në vendlindjen e tyre konsiderohen si nëna të këqija, kurse fëmijët i quajnë “Eurojetimë”.

Migrimi për motive punësimi është veçanërisht i dukshëm në zonat rurale, thotë Aleksandar Siter nga zyra e Weltkirche në Dioqezën e Würzburgut. Sidomos në zonat rurale nuk ka më të afërm që të kujdesen për të moshuarit, e nuk ka as kujdestarë profesionistë.

Romët nga Kosova shkojnë përmes Gjermanisë në Serbi

Por migrimi nga Evropa Lindore krijon edhe një problem tjetër. Rreth 85 për qind e të kthyerve nga Gjermania i përkasin grupit etnik rom, thotë Miqoviç. Ata tentojnë të hyjnë në Gjermani nga Kosova dhe në fund përfundojnë në Serbi. “Ata nuk e shohin të ardhmen e tyre në Kosovë”, thotë ajo.

Që nga themelimi i saj në vitin 2017, qendra këshilluese Caritas në Beograd është kujdesur për më shumë se 1.400 familje rome. Sipas Jelena Miqoviç, shumica jetojnë në vendbanime ilegale. Dy të tretat nuk kanë asnjë kualifikim shkollor, rreth 90 për qind nuk kanë kurfarë përgatitje profesionale.

Kjo për shkak se në kohën kur ato familje po përpiqeshin pa sukses të merrnin azil në Gjermani, fëmijët mungonin në shkollë me vite. “Shumë ishin në moshën për trajnime profesionale kur u larguan nga Kosova. Por unë nuk shoh asnjë mënyrë tjetër përveç arsimit për t’i nxjerrë ata nga lagjet e varfra.”

“Puna jote” dhe qendrat për përgatitje profesionale

Për këtë qëllim, me mbështetjen e Renovabis, u nis projekti “Puna jote”, i cili mbështet të rinjtë për të gjetur një vend pune ose për t’u vetëpunësuar. Miqoviç flet për dyqanin online të një gruaje serbe nga Banja Luka (Bosnjë-Hercegovinë) që ndihmon kompanitë të zgjedhin punonjësit. “Ne mbështetëm trajnimin dhe rikualifikimin, ngritjen e punëtorive të gomës dhe salloneve të bukurisë,” thotë Miqoviç.

Në të njëjtën kohë, në Maqedoni, për shembull, u formuan “qendra arsimore”, dy prej të cilave sponsorizohen nga “Renovabis”. Në këto qendra familjeve rome u ofrohen takime dhe kurse private, me qëllim krijimin e një perspektive më të mirë…

Caritas me projektet e tij dëshiron të krijojë një perspektivë për të qëndruar në Serbi. “Dua që të gjithë të qëndrojnë”, thotë Miqoviq.

“Njerëzit vijnë në Gjermani sepse ne kemi nevojë për ta. Por ne duhet t’u ofrojmë punë me kushte njerëzore,” shpjegon Siter. “Apeli i Mynihut” i Renovabis mund të ndihmojë që migrimi për motive punësimi të jetë i drejtë.

Ndër të tjera, kërkon kompensim të drejtë për vendet e origjinës për shkak të humbjes së fuqisë punëtore, pagë të barabartë me punonjësit vendas, si dhe zgjerimin e ofertës së këshillimit për të ardhurit, shkruhet edhe në portalin e Dioqezës së Würzburgut./ DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA