Në BBC Radio këtë të diel, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe i dërguari special i SHBA-ve, Gabriel Escobar përplasën mendimet e tyre për veriun e Kosovës.

Për kryeministrin e Kosovës, kryetarët do vijojnë të qëndrojnë në zyra për të bërë punën e tyre, ndërsa shprehu edhe njëherë shqetësimin se protestat në veriun e Kosovës, po i organizojnë grupe kriminale të ardhura nga Beogradi.

“Ne do ta pakësojmë numrin e forcës policore, por më parë ata që sulmuan forcat e sigurisë dhe gazetarët duhet të shkojnë në burg”, tha Kurti.

Edhe njëherë tjetër ai përsëriti qëndrimin se SHBA dhe BE janë partnerët e padiskutueshëm të vendit, ndërsa sipas tij nuk do të lejojë që një republikë demokratike të bjerë në duart e një milicie fashiste.

Por për Escobar tensionimi i situatës erdhi pasi Kurti refuzoi të dëgjonte komunitetin ndërkombëtar. Ai kërkoi menjëherë zgjidhjen e situatës. Për përfaqësuesin amerikan Kosova duhet të nisë punën për krijimin e Asociacionit, ndërsa kërkoi që Policia të tërhiqet nga komunat pa kushte, dhe të përgatiten zgjedhjet e reja.

Lidhur me këtë çështje të hënën, Escobar do të mbërrijë në Prishtinë së bashku me të dërguarin e BE, Mirosllav Lajçak e më pas ata do të ndalen në Serbi. Vizita e tyre, sipas analistëve politikë, do të ketë një ndikim të madh pasi do të qetësojë situatën në veri.

“Besoj se do ta qetësojë situatën dhe do ta normalizojë gjendjen, për arsyeje se nga takimi që kishim mes presidentes Osmani dhe presidentit Vuçiç, besoj se ka pas një dakordim se si të dilet nga kjo gjendje dhe këta dy të dërguar janë pjesë e procesit të dialogut, dhe vizita e tyre sigurisht se do të jetë presion ndaj palëve që të afrohen në tryezën e bisedimeve dhe të vazhdojnë rrugën për qetësimin e situatës dhe zbatimin e marrëveshjes së dakorduar më herët”, tha analisti Fidan Ukaj.

Si pasojë e tensioneve në veri, Bashkimi Evropian ka paraqitur tre kërkesa për normalizimin e situatës: atë të mbajtjes së zgjedhjeve të reja në komunat veriore, largimin e forcave të policisë si dhe krijimin e asociacionit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA