Policia e Shtetit ka bërë bilancin për muajin maj, ku përmes operacioneve të kryera kanë parandaluar veprimtari të paligjshme dhe zbardhjen e dokumentimit të ngjarjeve kriminale të ndodhura në vend.
Janë kryer 79 operacione policore dhe janë kapur 68 persona të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Skuadra të posaçme policore të pajisura me dronë të teknologjisë së lartë, kanë finalizuar 13 operacione në qarqet Durrës, Lezhë dhe Shkodër. Në total, si rezultat i megaoperacioneve “Territor i pastër”, “Imazhi” dhe “Alpe të pastra”, u asgjësuan 39 613 fidanë dhe bimë narkotike kanabis. Gjatë këtyre operacioneve janë vënë në pranga disa persona, si dhe vijojnë veprimet hetimore dhe operacionale, për përcaktimin e autorësisë së rasteve të tjera.
Gjithashtu janë sekuestruar 2.3 kg kokainë, 170 kg kanabis, 70 bimë opiumi, vaj kanabisi dhe ekstazi.
Gjatë këtij muaji, përmes megaoperacioneve të koduara “Kodra e Diellit 2” dhe “Reset”, të zhvilluara në Tiranë dhe në Vlorë, janë vënë në pranga 6 persona. Në Tiranë, 5 personat e arrestuar shpërndanin kokainë në sasi të mëdha, ndërsa në Vlorë, një shtetas me precedent penal, transportonte 10 pako me 104 kg lëndë narkotike cannabis sativa.
Përsa i përket mbajtjes së armëve pa lejë, janë finalizuar 6 operacione, ku janë seksuestruar 22 armë zjarri dhe gjahu.
Megaoperacioni policor i koduar “Arsenali”, i zhvilluar në Elbasan, ka parandaluar një 53-vjeçar me precedent kriminal, i cili mbante në banesë një arsenal prej 6 armësh, për të kryer një ngjarje kriminale ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve të tij.
Gjatë muajit maj 2023, janë parandaluar një sërë ngjarjesh kriminale në Vlorë, Durrës, Elbasan dhe Dibër, të cilat synoheshin të kryheshin për shkak të marrëdhënieve familjare ose për shkak të konflikteve të mëparshme ndërmjet shtetasve me precedent penal, si dhe të cilat mund të kryheshin duke përdorur armë zjarri.
Megaoperacioni policor i koduar “Plani”, ka bërë të mundur parandalimin e kryerjes së një atentati ndaj një shtetasi me precedent kriminal. Në vijim të këtij megaoperacioni, u vu në pranga autori kryesor dhe bashkëpunëtori i tij, si dhe u sekuestruan armët që do të përdoreshim për atentatin. Gjithashtu janë parandaluar 8 ngjarje kriminale kryesisht plagosje dhe vjedhje, ku është bërë i mundur edhe identifikimi dhe arrestimi i autorëve.
Si rezultat i bashkëpunimit dhe i shkëmbimit të informacioneve me partnerët ndërkombëtarë, është kapur në Rabat, Marok, vrasësi i biznesmenit Ardian Nikulaj, ndërsa në Janinë janë kapur i shumëkërkuari për krime kundër personit, shtetasi Laert Haxhiu dhe shoqëruesi i tij, një 22-vjeçar i shpallur në kërkim për llogari të Policisë së Pogradecit, për plagosje të rëndë me dashje.
Për paligjshmërinë në fushën e krimeve ekonomike, janë finalizuar 8 operacione dhe janë goditur 80 raste.
Megaoperacionet “Telegrami” dhe “Arkitekti”, goditën 2 raste të marrjes së shumave të konsiderueshme të parave, nga biznesmenë, me anë të mashtrimit. Nga këto operacione u sekuestruan 140 mijë euro.
18 operacione dhe aksione policore janë finalizuar për të zbardhur dhjetëra vjedhje të kryera gjatë këtij muaji, si dhe për të vënë në pranga autorët e tyre. 12 operacione dhe aksione policore u zhvilluan për të goditur me forcën e ligjit, rastet e transportimit të emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt pagesave 300-1500 euro, për kalimin ilegal të kufirit shtetëror, me destinacion final vendet e BE-së.
Operacionin policor i koduar “Strukturimi”, i zhvilluar në Kukës, shkatërroi një rrjet ndërkombëtar të transportimit ilegal të emigrantëve. 6 shtetasit e huaj të vënë në pranga, anëtarë të këtij rrjeti të mirëstrukturuar kriminal, hapën zjarr mbi punonjësit e Policisë dhe iu rrezikuan atyre seriozisht jetën.
Përgjatë këtij muaji, i është ofruar ndihma 13 turistëve nga shtete të ndryshme, të cilëve kanë qenë në rrezik për jetën në det dhe në terrene malore të thepisura në malin e Brretit, në Dukat dhe në Korçë. Gjithashtu, kontrollet në terren mundësuan goditjen e 82 rasteve të krimeve mjedisore, si dhe finalizimin e 4 operacioneve për goditjen e organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Shërbimet e Policisë Rrugore, kanë intensifikuar monitorimin e akseve rrugore, në prag të sezonit turistik, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe lëvizjen e lehtësuar të përdoruesve të rrugës.
Gjatë këtij muaji, janë vënë në pranga 112 drejtues mjetesh, nga të cilët 64 për drejtim të mjetit, nën efektin e alkoolit dhe 48 për drejtim të mjetit, pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë pezulluar 624 leje drejtimi, nga të cilat 465 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 100 për drejtim mjeti, në ndikimin e pijeve alkoolike dhe 59 për qarkullim në sens të kundërt me lëvizjen.
Përgjatë gjithë vijës bregdetare të vendit, u bllokuan 21 mjete ujore që drejtoheshin në kundërshtim me ligjet dhe me rregullat e lundrimit. Rreth 111 150 euro të padeklaruara në pikat e kalimit kufitar, u sekuestruan si rezultat i kontrolleve me shërbime të shtuara dhe me asistencën e pajisjeve të teknologjisë bashkëkohore.
Gjithashtu, janë goditur 2 raste të trafikimit të lëndëve narkotike, 35 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, 8 raste të përdorimit të dokumenteve false për të kaluar kufirin dhe 2 raste të trafikimit të mjeteve.
Top Channel