Policia e Kosovës ka njoftuar se për shkak të ndeshjes së futbollit, e cila do të zhvillohet nesër, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura policore për të ofruar siguri për të gjithë pjesëmarrësit, si dhe ka ndërmarrë masat e nevojshme për të përcaktuar lirimet, kufizimet, bllokimet e plota apo të pjesshme të segmenteve të caktuara rrugore në kryeqendër, me qëllim të rregullimit të qarkullimit rrugor dhe drejtimit të trafikut, në mënyrë që të krijohet rrjedhshmëri normale në trafik, si dhe një ambient i qetë dhe i sigurt.

Policia e Kosovës për të evituar bllokadat në rrugë, kolonat e gjata të automjeteve, për të mundësuar një qarkullim në suaza të normales, do të veprojë në të gjitha rrugët të cilat lidhen me stadiumin “Fadil Vokrri”, duke formuar pikat e kontrollit me qëllim të ndalimit dhe udhëzimit të automjeteve, si dhe vendosjen e rregullit përgjatë atyre rrugëve.

“Në këtë kontekst, policia do të ndërpres qarkullimin e të gjitha automjeteve në rrugët Enver Zymberi dhe Rinia. Plani në fjalë do të filloj të implementohet nesër (05.06.2023), që nga ora 07:00 deri në përfundim të ndeshjes. Andaj për të përballuar sa më lehtë rrethanat që do të paraqiten në qarkullimin rrugor, kërkojmë ndihmën, besimin dhe mirëkuptimin e gjithë qytetarëve dhe veçanërisht lusim qytetarët e kryeqytetit që të shmangin lëvizjet e tyre drejt stadiumit të qytetit me vetura”, thuhet në njoftim.

Ndryshe nesër në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke filluar nga ora 18:00, do të ballafaqohen Prishtina-Gjilani, në finalen e Kupës së Kosovës.

Top Channel