Vizita e nesërme në Kosovë dhe pastaj në Serbi e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, sipas analistëve, po konsiderohet efektive për normalizimin e situatës në veri të vendit.

Ata po ashtu po vlerësojnë se edhe propozimi evropian për organizmin e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore në Kosovë, do të kontribuojnë në qetësimin e situatës.

Analisti Fidan Ukaj tha për KosovaPress se vizita e tyre do të ketë ndikim të madh për ta qetësuar gjendjen në veri të vendit. Sipas tij, edhe në takimin e presidentes së vendit, Vjosa Osmani me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka pasur një dakordim se si të dilet nga kjo gjendje.

“Besoj se do ta qetësojë situatën dhe do ta normalizojë gjendjen, për arsyeje se nga takimi që kishim mes presidentes Osmani dhe presidentit Vuçiç, besoj se ka pas një dakordim se si të dilet nga kjo gjendje dhe këta dy të dërguar janë pjesë e procesit të dialogut, dhe vizita e tyre sigurisht se do të jetë presion ndaj palëve që të afrohen në tryezën e bisedimeve dhe të vazhdojnë rrugën për qetësimin e situatës dhe zbatimin e marrëveshjes së dakorduar më herët…4:11 Ndërkaq, edhe zgjedhjet e reja sigurisht se do të kontribuojnë në qetësimin e situatës dhe normalizimit të gjendjes në atë pjesë të vendit.”, ka theksuar Ukaj.

Analisti Dritoro Arifi ka thënë se presioni nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, ka ndikuar në ç’tensionimin e situatës në veri të vendit.

Arifi tha se ardhja e Escobar dhe Lajçak, do ta drejtojë çështjen në atë që do të mbahen zgjedhjet e reja.

“Presioni që është duke u bërë nga SHBA dhe Bashkimi Evropian veç e ka ç’tensionuar situatën. Pra, kemi një gjendje të jashtëzakonshme në veri, të pashpallur normalisht, pasi momentin që KFOR-i, është aty me tela e gjemba duke i mbrojtur godinat komunale, tregon se gjendja është e jashtëzakonshme. Por, presoni i madh që iu ka bërë edhe palës serbe, është qetësuar situata, ato grupet terroriste kanë mundur të largohen nga Kosova, situata është e qetë. Mirëpo, politikisht ende nuk kemi një zgjidhje të paktën të përkohshme për pjesën veriore. E ardhja e Escobar dhe Lajçak, besoj se do ta drejtojë çështjen në atë që do të mbahen zgjedhjet e reja, do të largohet me siguri njësia speciale nga godinat komunale, kryetarët e rinj do ta vazhdojnë punë e tyre nga ndonjë shtëpi tjetër, jo nga godinat e parapara”, ka thënë Arifi.

Ndërsa, sa i përket dialogut  mes Kosovës dhe Serbisë, Arifi ka thënë se mënyra se si BE po e udhëheq dialogun, po i tregon Serbisë dhe Rusisë, që çështja e Kosovës është papërfunduar politikisht.

“Formula kryesore është që 10 vite ne në një mënyrë, formën dhe drejtimin e dialogut e kemi të gabuar, sepse BE, por edhe SHBA po i ndihmon në një mënyrë që Kosova është ende e hapur politikisht dhe ligjërisht, pra ende e papërfunduar. Mënyra se si BE po e udhëheq dialogun, po i tregon Serbisë dhe Rusisë, që çështja e Kosovës është papërfunduar, pra, është e hapur politikisht. Me mosnjohjen e pesë vendeve të BE-së, realisht BE-ja po e krijon vet problemet në Ballkanin Perëndimor, vetëm me njohjen e Kosovës nga këto pesë vendet e BE-së, apo katër vendet e NATO-s, Serbia defaktorizohet dhe njëkohësisht edhe Rusia. Prandaj, perëndimi duhet ta drejtojë dialogun pak më ndryshe. Qeveria e Kosovës ka bërë gabime, por gabimi më i madh qëndron në Bruksel. Pra, derisa vendet e BE-së, nuk e njohin Kosovën, nuk pres që Serbia ta njohë, sepse në një mënyrë mesazhi që po dërgohet, sidomos në veri, po tregon se veriu është i hapur”, ka thënë Arifi.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkan, Gabriel Escobar, do ta vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin të hënën dhe të martën.

Vizita e tyre ka për qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për të dalë nga situata aktuale, e cila rrezikon të dëmtojë atë që BE-ja e konsideron si sukses në dialog. Pra, fokusi së pari do të jetë në uljen e tensioneve dhe vazhdimi i përpjekjeve në bazë të asaj që është propozuar pas takimit në Moldavi.

Në Moldavi, më 1 qershor, udhëheqësit e Gjermanisë dhe Francës, Olaf Scholz dhe Emmanuel Macron u kërkuan Kosovës dhe Serbisë të mbajnë zgjedhje të reja në komunat në veri të Kosovës, gjatë takimit të tyre me presidentët e dy vendeve, Vjosa Osmani dhe Aleksandar Vuçiç.

Osmani tha se mund të bëhen zgjedhjet në veri, duke respektuar ligjet në fuqi.

Protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale. Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit, kur kryetarët e betuar janë detyruar të hyjnë në zyrat e tyre të punës me ndërhyrjen e Policisë së Kosovës. Të hënën (29 maj) protestuesit kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.

Si pasojë e tensioneve atje, Bashkimi Evropian, përmes përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ka paraqitur tri kërkesa për qetësimin e situatës në veri.

Top Channel