Rama për BBC: Dërgimi i kryetarëve të rinj në veri të Kosovës, hap i tepruar! Është koha për të arritur marrëveshje

03/06/2023 11:15

Tensioni në veri të Kosovës u krijua nga serbët që braktisën institucionet dhe më pas nga autoritetet e Kosovës që këmbëngulën për vendosjen e kryetarëve të rinj në godinat e boshatisura, sipas kryeministrit Edi Rama.

Në një intervistë për BBC, Rama tha se “zhvillimi i zgjedhjeve ishte gjë shumë e mirë, për të treguar se askush nuk mund të marrë peng procesin demokratik në Republikën e pavarur të Kosovës, por nuk ishte ide e mirë që, më pas, të këmbëngulej që këta katër kryetarë të hynin në ndërtesat bosh nën mbrojtjen e policisë, që solli ndërhyrjen e KFOR-it dhe plagosjen e padrejtë të ushtarëve të KFOR-it”.

Në intervistën kryeministri shpreh bindjen se marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, “nuk ka asnjë shans të mos bëhet.

“Mendoj se nuk ka asnjë shans në botë, siç do thoshte dikush… apo siç do thoshte ndonjëherë Shtëpia e Bardhë, që kjo marrëveshje të mos bëhet. Pyetja e vetme është “kur”. Dje ishim të gjithë udhëheqësit në Komunitetin Politik Europian në Moldavi, dhe të gjithë kishin bindje të patundur, sidomos Presidenti francez dhe Kancelari gjerman, se të dyja palët dhe Aleksandar Vuçiçi dhe Albin Kurti duhet të ulen njëherë e mirë dhe të arrijnë marrëveshjen dhe ta zbatojnë atë”.

Më tej, Rama thekson se dërgimi i kryetarëve të rinj në katër komunat në veri të Kosovës, kundër këshillës së të gjithëve, ishte hap i nxituar.

“Dërgimi i këtyre kryetarëve të komunave kundër këshillës së mirë të gjithkujt – dhe kur them gjithkujt, e kam fjalën për miqtë dhe partnerët e mëdhenj të Kosovës, pa të cilët Kosova nuk do të ishte ajo që është sot – ishte një hap më i tepërt seç duhej. Thënë kjo, mendoj se Serbia ka reshtur së qeni rrezik për Kosovën që prej vitit 1999, e ka humbur njëherë e përgjithmonë Kosovën që në vitin 1999 dhe tani është koha për paqe. Është koha për normalizim. Është koha për t’u ulur. Është koha për të pranuar dhe për t’i dhënë Serbisë atë që ka qenë më parë në marrëveshje, që do të thotë, asociacionin e komunave me popullsi serbe dhe të drejtën e kishës ortodokse serbe që të ketë aktivitetin e saj brenda Kosovës dhe, nga ana tjetër, Serbia duhet të heqë dorë dhe të kuptojë që Kosova ka ikur dhe të pranojë njohjen e ndërsjellë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA