Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një vizitë të veçantë në Kalabri, i shoqëruar nga kryebashkiakët e Durrësit dhe Shkodrës, Emiriana Sako e Benet Beci, si dhe bashkëshortja Linda Rama me djalin Zaho, në Eparkinë tonë të Ungrës, zonë që ruan me krenari rrënjët dhe identitetin shqiptar.

Gjatë vizitës Rama u mirëprit nga Imzot Donato Oliverio, i cili në gjuhën shqipe tha se me ardhjen e tij sot është “një ditë e lumtur për të gjithë arbëreshët sepse u kujton lidhjen me nënën Shqipëri.”

“Mirëse na erdhe kryeministër i Shqipërisë Edi Rama në Eparkinë tonë të Ungrës, arbëresh-bizantino në Kalabri. Ardhja juaj është një ditë e lumtur për të gjithë arbëreshët sepse na kujton lidhjen me nënën Shqipëri. Mirëse erdhe zoti kryeministër në shtëpinë e Zotit që mbanë gjallë historinë dhe besimin e një populli unik si populli arbëresh në tokën kalabreze. Mirëseerdhe në Emparki, që sot është institucioni i vetëm arbëresh që ka bota arbëreshe në Italinë kontinentale”- tha Imzot Donato Oliverio.

Sakaq, Rama falenderoi Peshkopin e Emparkisë për mikpritjen e veçantë dhe e vlerësoi këtë vizitë si  një mundësi për të njohur dhe prekur nga afër realitetin e një komuniteti të rëndësishëm, siç është ai arbëresh që në shekuj ka ditur të ruajë identitetin dhe traditën, duke e përcjellë brez pas brezi.

“Ju falenderoj për këtë mikpritje dhe për këto momente të veçanta. Ne jemi shumë mirënjohës për këtë mikpritje, për këtë mundësi për të njohur nga afër, për të dëgjuar dhe për të kuptuar, se si mund të bëjmë më shumë gjëra bashkë, se si mund ndihmojmë njeri-tjetrin” – u shpreh ndër të tjera Rama.

Nga Selia e Shenjtë, Imzot Donato Oliverio i ka dhuruar kreut të qeverisë shqiptare një ikonë të Virgjëreshës Mari, gjest të cilin Rama e vlerësoi shumë dhe më pas me mirëkuptimin e Peshkopit të Emparkisë, ia dhuroi kryebashkiakut të ri të Shkodrës, Benet Beci, me qëllim që ta mbrojë dhe ta drejtojë në detyrën e re.

Po ashtu, një tjetër dhuratë e imzot Donato Oliverio ishte një libër me historinë e Emparkisë së Ungrës, komuniteti shqiptar në Kalabri që mundi të ruante rrënjët dhe identitetin e tyre përgjatë viteve. Në këmbim të kësaj dhurate të çmuar, kreu i qeverisë shqiptare i dhuroi helmetën e Skënderbeut.

Imzot Donato Oliverio e vlerësoi shumë gjestin, duke e konsideruar këtë dhuratë shumë domethënëse pasi sjell kujtimin e heroit tonë kombëtar.

Top Channel