Ndërhyrjet nga jashtë/ Balla: Të ngrihet Komision i Posaçëm, jo dezinformimit!

03/06/2023 14:04

Miratimi dy ditë më parë i një raporti në Parlamentin Europian mbi masat masat që duhen marrë kundër ndërhyrjeve të huaja në vendet anëtare të bllokut përmes dezinformimit, sulmeve kibernetike dhe ndërprerjes së infrastrukturës kritike, ka nxitur kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, të kërkojë veprime konkrete edhe në vendin tonë për frenimin e këtij fenomeni, i cili po merr përmasa gjithmonë e më shqetësuese.

Balla kujtoi përmes një postimi në Facebook se Kuvendi i Shqipërisë e ka miratuar dhjetorin e vitit 2019 një Rezolutë mbi ndërhyrjet e huaja në proceset demokratike kombëtare. E tani, është momenti, sipas tij, që të kalohet në veprim.

“Është koha e duhur, ndoshta e vonuar, ngritja e një Komisioni të Posaçëm të Kuvendit të Shqipërisë për Ndërhyrjet e Jashtme në Proceset Demokratike, duke synuar mbledhjen e informacionit mbi rastet e bëra publike apo dhe të tjera mbi financime të partive dhe aktorëve politikë nga burime financiare të lidhura me shtete jo miqësore me Shqipërinë. Sikur edhe në rastin e Parlamentit Europian objekt i punës së këtij Komisioni duhet të jenë edhe fushatat e dezinformimi, të cilat si edhe në vendet e BE, financohen në mënyrë malinje nga Rusia apo ndonjë vend tjetër”, ka shkruar ai.

Në raportin Parlamentit Europian bëhej thirrje për një strategji të koordinuar me qëllimin rritjen e qëndrueshmërisë së bllokut ndaj ndërhyrjeve të huaja dhe manipulimit të informacionit dhe për të mbrojtur zgjedhjet europiane të 2024-ës. Ndërhyrja e huaj, dezinformimi dhe sulmet ndaj demokracisë ka të ngjarë shtohen e të bëhen më të sofistikuara në prag të zgjedhjeve të Parlamentit Europian qershorin e vitit të ardhshëm, thonë eurodeputetët.

Dokumenti evidenton sidomos ndërhyrjet në platformat online, infrastrukturën kritike dhe sektorët strategjikë, ato gjatë proceseve zgjedhore, financimin e fshehtë të aktiviteteve politike nga aktorët e huaj dhe qëndrueshmërinë ndaj sulmeve kibernetike.

Postimi i plotë i Taulant Ballës:

Parlamenti Europian miratoi dy ditë më parë një raport që kishte në fokus masat ndaj ndërhyrjeve të huaja në vendet anëtare të Bashkimit Europian përmes dezinformimit, sulmeve kibernetike dhe ndërprerjes së infrastrukturës kritike.

Si pjesë e rekomandimeve në këtë Raport u kërkohet të gjitha vendeve anëtare të përputhin qasjen e tyre me kufizimet që Bashkimi Evropian, por dhe SHBA, kanë vendosur tashmë mbi ndalimin e përdorimit të aplikacionit të mediave sociale TikTok.

Raporti është pjesë e punës së Komitetit të Posaçëm të Parlamentit Evropian për Ndërhyrjet e Jashtme në Proceset Demokratike në Bashkimin Evropian, duke përfshirë Dezinformimin, i cili filloi në vitin 2020 në një përpjekje për të ndaluar shtete si Rusia dhe Kina të ushtrojnë ndikim në politikën evropiane.

Edhe Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një Rezolutë mbi ndërhyrjet e huaja në proceset demokratike kombëtare në dhjetor 2019. Është koha e duhur, ndoshta e vonuar, ngritja e një Komisioni të Posaçëm të Kuvendit të Shqipërisë për Ndërhyrjet e Jashtme në Proceset Demokratike, duke synuar mbledhjen e informacionit mbi rastet e bëra publike apo dhe të tjera mbi financime të partive dhe aktorëve politikë nga burime financiare të lidhura me shtete jo miqësore me Shqipërinë. Sikur edhe në rastin e Parlamentit Europian objekt i punës së këtij Komisioni duhet të jenë edhe fushatat e dezinformimi, të cilat si edhe në vendet e BE, financohen në mënyrë malinje nga Rusia apo ndonjë vend tjetër.

Top Channel