Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Shëndetësisë, Ogreta Manastirliu, pas skandalit në dikasterin që ajo drejton, ku sekretarja e përgjithshme e Shëndetësisë, Joana Duro, u arrestua për korrupsion.

Nga hetimet e kryera, Prokuroria e Posaçme konkludoi se Duro mori 330 mijë lekë për favorizime në tenderin e qendrave shëndetësore. Shuma sipas versionit zyrtar të SPAK, iu pagua sekretares së përgjithshme nga një tjetër nëpunëse e shtetit, e identifikuar si Laureta Sheto, me detyrë specialiste e nivelit të lartë të Agjencisë së Shërbimeve Publike të Integruara.

Nisur nga këto zhvillime, Grupi Parlamentar i PD-së thotë se arrestimi në flagrancë i zyrtares së lartë publike dhe “korrupsioni sistematik në Ministrinë e Shëndetësisë nuk mund të kalojë në heshtje dhe pa përgjegjësi politike.”

PD i bën thirrje SPAK të hetojë Manastirliun, duke theksuar se edhe ministrja ka qenë pjesë e aferës. Sipas PD-së, heshtja e Ministres së Shëndetësisë dhe mosdistancimi i saj prej veprimeve korruptive të bashkëpunëtorëve më të afërt, dëshmojnë se korrupsioni i Sekretares së Përgjithshme nuk është një rast i izoluar.

“Korrupsioni sistematik në Ministrinë e Shëndetësisë nuk mund të kalojë në heshtje dhe nuk mund të kalojë pa përgjegjësi politike. A të Ministrisë së Shëndetësisë provon sesa i përhapur është korrupsioni në qeverinë e Edi Ramës.

3 vite më parë, në kulmin e pandemisë, PD provoi me dokumenta zyrtarë se Ministria e Shëndetësisë i përdori tenderat sekretë për të vjedhur qytetarët. Pajisjet dhe medikamentet antiCovid u blenë 3-5 herë më shtrenjtë, por Ministrja e Shëndetësisë refuzoi të mbajë përgjegjësi politike. Po ashtu, SPAK-u nuk i shërbeu interesit publik me hetimin gjysmak.

Sot është koha që SPAK të mos bëhet sërish mburojë e korrupsionit të nivelit më të lartë politik në Ministrinë e Shëndetësisë. Ogerta Manastirliu nuk mund të bëjë sikur nuk e di çfarë ndodh me tenderat në Ministrinë e saj. Edhe shqiptari më i painteresuar për këto punë, e di që ministri ka dijeni dhe vendos për fatin e një tenderi. Zotërinj të SPAK-ut, mos bëni sikur nuk e dini këtë! Hetoni edhe Ogerta Manastirliun!

Heshtja prej 24 orësh e Ministres së Shëndetësisë dhe mosdistancimi i saj prej veprimeve korruptive të bashkëpunëtorëve të saj më të afërt, dëshmojnë se korrupsioni i Sekretares së Përgjithshme nuk është një rast i izoluar. Ogerta Manastirliu në Ministrinë e Shëndetësisë është pjesë dhe i shërben një sistemi të kalbur nga korrupsioni.

Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, duke mbështetur dhe inkurajuar drejtësinë të zbardhë të plotë skemën korruptive me tendarat në shëndetësi, kërkojmë dorëheqjen e Ministres Ogerta Manastirliu, si përgjegjësja kryesore politike e korrupsionit në Ministrinë e Shëndetësisë dhe për ti hapur rrugë një hetimi të plotë dhe të gjithëanshëm”- thuhet në deklaratën e grupit parlamentar të PD-së.

Top Channel