“60 mijë vota, 60 mijë ide”/ Ndalesa e falënderimit të Veliaj te njësia 10

03/06/2023 14:41

Turi i falënderimeve i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj u ndal në Njësinë nr. 10.

“Ka dy mënyra se si mund ta menaxhojmë këtë fitore të madhe: Mund të themi se 60 mijë vota diferencë është fitorja më masive, më historike e një partie; ose mund të themi se një fitore kaq e madhe është edhe një përgjegjësi po kaq e madhe. Shumica e popullit na e dha këtë përgjegjësi, ndaj duhet të sigurojmë që këto 60 mijë vota diferencë t’i kthejmë në 60 mijë mundësi komunikimi, në 60 mijë mundësi përbashkimi dhe në 60 mijë ide dhe projekte për ta bërë Tiranën më të mirë, jo vetëm për ata që na votuan, por për secilin prej atyre që votoi, pavarësisht se mendojnë ndryshe nga ne, për të treguar që ajo që ne na bën të fortë nuk është arroganca, por përulësia, mëngët e përveshura, fjala mbajtur dhe punët e kryera. Kjo është filozofia që do na bëjë fitues edhe në mandatin tjetër”.

Duke iu drejtuar demokratëve, Veliaj tha se askush nuk është i humbur, as ata që nuk votuan për skuadrën fituese.

“Thirrja ime për çdo demokrat është: Nuk keni humbur asgjë! Përkundrazi, keni fituar një skuadër, keni fituar një ekip, keni fituar një shoqëri të jashtëzakonshme, të atyre që vërtet duan të punojnë për qytetin. Ndaj, doja që mesazhi që duhet t’i japim kundërshtarëve tanë është se ata nuk kanë humbur. Mund të kenë problemet e tyre, mund të kenë përçarjet e tyre, mund të kenë nevojë për kandidatë më të mirë, mund të kenë nevojë për më shumë organizim, por ata nuk kanë humbur”.

Top Channel