​Zhvillimet në veri, Turqia do të dërgojë trupa në Kosovë

03/06/2023 13:44

Pak ditë pasi presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan telefonoi si kryeministrin Albin Kurti ashtu edhe presidentin Aleksandar Vuçiç për të diskutuar uljen e tensioneve në veri të Kosovës, Ankaraja njofton planet për të dërguar trupa të saj në Kosovë.

Turqia i përgjigjet në këtë mënyrë një kërkese të NATO-s, për t’iu bashkuar forcave paqeruajtëse te KFOR, pas trazirave të këtyre ditëve, që kanë shqetësuar ndërkombëtarët. Në një deklaratë të saj, Ministria turke e Mbrojtjes bëri thirrje sidoqoftë për vetëpërmbajtje dhe dialog konstruktiv me qëllim zgjidhjen e krizës e cila, sipas autoriteteve turke, mund ta dëmtojë stabilitetin dhe sigurinë rajonale.

“Njësitet tona planifikojmë të angazhohen në Kosovë më 4-5 qershor”, thuhet në deklaratë. Erdogani vetë është shprehur në lidhje me zhvillimet në veri se e vetmja rrugë për të vendosur paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon është avancimi i procesit të dialogut.

Ai nënvizoi po kështu se Turqia është e gatshme të kontribuojë për këtë proces. Pas përshkallëzimit të situatës në 29 maj në Zveçan, mbetën të plagosur 30 pjesëtarë të KFOR dhe 52 protestues. Dhuna e nxiti NATO-në të angazhojë 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç 4.000 trupave që ndodhen tashmë atje, e të përgatitet edhe për dislokimeve të tjera të mundshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA