Lirimi i ish-ministrit Tahiri/ Reagon Bardhi: Tallje e drejtësisë me drejtësinë

02/06/2023 12:32

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar pas lirimit të ish-ministrit Saimir Tahiri.

Bardhi e cilëson lirimin e parakohshëm të Tahirit si tallje e drejtësisë me drejtësinë. Sipas tij, Tahiri do të mbahet mend si ministri kampion i Edi Ramës që garantojë paprekshmërinë e grupeve kriminale

“Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të mbahet mend si ministri kampion i Edi Ramës që garantojë paprekshmërinë e grupeve kriminale, thellojë bashkëpunimin e shtetit me to dhe si kurrë më parë me leje shtetërore mbushi vendin me kanabis, duke favorizuar fuqizimin e krimit të organizuar.

Lirimi para kohe me kusht i tij është një tallje e drejtësisë me drejtësinë. Ndërsa qytetarët shqiptarë presin nga drejtësia e re ti jepet fund pandëshkueshmërisë, zyrtarët e lartë të korruptuar përfitojnë nga vendime gjyqësore thellësisht politike, që i shndërrojnë dënimet e tyre në qesharake.

Abuzuesit e pushtetit duhet të vuajnë të plotë dënimin e tyre, pa asnjë favorizim politik dhe duke u trajtuar të barabartë me çdo qytetar tjetër. Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike e konsideroj vendimin e sotëm politik të Gjykatës së Elbasanit një turp të drejtësisë dhe s

i një nxitje për thellimin e korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin”, deklaroi Bardhi për mediat.

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri la sot burgun, për të vazhduar dënimin në “arrest shtëpie”, sipas vendimit të Gjykatës së Elbasanit.

Për ish-ministrin janë dy ekspertiza mjeko-ligjore, që arsyetojnë se përse ai nuk mund të qëndrojë në burg për pjesën e mbetur të dënimit.

Hoxha mëson se në njërën prej tyre, thuhet se Tahiri ka probleme shëndetësore. Ndërsa në akt-ekspertizën e dytë, shpjegohet se bashkëshortja e ish-ministrit nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe për pasojë, nuk ka kush të kujdeset për fëmijët. Kërkesa, që është bërë gjashtë muaj më parë në Gjykatën e Elbasanit, u pranua këtë të premte.

Tahiri u dënua me 3 vjet e katër muaj burg për akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi gjatë kohës në krye të dikasterit të rendit, Habilajt kultivuan kanabis sativa.

Top Channel