Komandanti i denoncuar në Fiks Fare/ Ministria e Brendshme: Jemi të vendosur të pastrojmë Policinë nga të korruptuarit

02/06/2023 09:05

Ministria e Brendshme ka reaguar pas denoncimit të Fiks Fare, për veprimet arbitrare të një inspektori policie në Shkodër, i cili i kontrollonte portofolin një qytetari duke i grabitur paratë dhe kishte dhunuar një tjetër.

Teksa falënderon Fiks Fare për denoncimin e punonjësit të policisë që abuzonte me detyrën, Ministria e Brendshme thotë se  Shkëlzen Gjonaj, me detyrë Komandant Rendi në komisariatin e Shkodrës, do të përballet me drejtësinë.

“Jemi të vendosur për të pastruar Policinë e Shtetit nga punonjësit e korruptuar, të cilët kurrsesi s’ka vend në radhët e kësaj trupe”- thekson Ministria e Brendshme.

Për rastin e transmetuar mbrëmjen e kaluar në media e për të cilin Policia e Shtetit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore reaguan menjëherë, Ministria e Brendshme falënderon emisionin “Fiks Fare” për denoncimin e punonjësit të policisë që abuzonte me detyrën. Ky punonjës është arrestuar nga AMP e do të përballet me drejtësinë për të marrë ndëshkimin sipas ligjit.

Ne inkurajojmë investigime të tilla gazetareske, por edhe referimin e qytetarëve për punonjës të Policisë së Shtetit që kryejnë shkelje ligjore apo etike gjatë ushtrimit të detyrës. Vijimësisht jemi të vendosur për të pastruar Policinë e Shtetit nga punonjësit e korruptuar, të cilët kurrsesi s’ka vend në radhët e kësaj trupe.

Vetëm përgjatë vitit 2022 AMP ka referuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre 357 raste nga të cilët 168 me masë shtrënguese. Në 5 muajt e parë të këtij viti janë referuar 119 raste nga të cilët 34 me masë shtënguese. Ky është tregues i vullnetit tonë të plotë për të larguar nga Policia e Shtetit ata që bëjnë pis uniformën e kësaj trupe.”-thuhet në reagimin e ministrisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA