Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç la të nënkuptuar se delegacioni i Kosovës nuk ka dashur të takohet me delegacionin serb në samitin e Komitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau.

“Nuk u miratua nga liderët e tjerë. Situata në Kosovë, së bashku me Ukrainën, u bë temë kryesore e takimit të Komitetit Politik Evropian. Serbia gjithmonë dëshiron bisedime dhe mua më duket se tani është më e qartë se kush është përgjegjës për dhunën në Kosovë”, u tha Vuçiç gazetarëve.

I pyetur se kur e pret një takim dypalësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti ai tha se nuk e di.

Ai tha se ulja e tensioneve në veri të Kosovës dhe vendosja e garancive për shmangien e veprimeve unilaterale ishin temat kryesore gjatë takimeve të tij me presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Pragë, Çeki, më 6 tetor 2022.

Takimet u zhvilluan në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau, ku Kosovën po e përfaqëson presidentja Vjosa Osmani.

“Pas kësaj duhet të fokusohemi në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që u nënshkrua dhjetë vjet e gjysmë më parë me Marrëveshjen e Brukselit. Besoj se njerëzit tani e kanë një pasqyrë më të qartë të asaj që po ndodh, pavarësisht se a e njohin vendet e tyre Kosovën apo jo”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se nevojitet një zgjidhje e qëndrueshme kompromisi.

“Ne duhet të bindim njerëzit në Ballkan se kompromisi nuk është një gjë e keqe. Nuk është e lehtë, të gjithë janë të radikalizuar dhe askush nuk dëshiron të dëgjojë ide normale”, tha Vuçiç.

Duke iu drejtuar gazetarëve në Kishinau në margjinat e samitit të Komitetit Politik Evropian, Vuçiç përmendi se ka pasur një takim të shkurtër jozyrtar edhe me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

“U takova me një njeri që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës”, tha Vuçiç, teksa shtoi se me Zelenskyn kanë diskutuar për integritetin territorial të Serbisë dhe Ukrainës.

“Ai më tha, siç i thashë, se ne e mbështesim integritetin territorial të vendeve tona. Ishte një takim shumë i shkurtër, nuk mund t’ju them më shumë se kaq”, tha Vuçiç.

Samiti po mbahet në një kohë tensionesh në veri të Kosovës. Situata në veri u tensionua që më më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hyjnë në zyrat komunale, ndërsa banorët lokalë kundërshtonin.

Më 29 maj, nga përleshjet midis protestuesve serbë dhe ushtarëve të KFOR-it në Zveçan, 30 ushtarë mbetën të plagosur.

NATO-ja ka thënë se është e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë, për të qetësuar dhunën, tha të enjten Jens Stoltenberg.

Kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq dolën nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të cilat u bojkotuan nga komuniteti serb.

Top Channel