Në rrjetet sociale kanë qarkulluar thirrje për protesta në Mitrovicë të Jugut pranë Urës së Ibrit.
Policia ka kërkuar që të shpërfillet kjo kërkesë, pasi këto profile janë të dyshimta dhe se postimet mund të jenë qëllimkëqija, në dëm të vet qytetarëve dhe interesave të Republikës së Kosovës.
“Policia e Kosovës është në dijeni se, nëpër media të ndryshme sociale, nga persona dhe profile të ndryshme, janë duke qarkulluar postime me thirrje ndaj qytetarëve shqiptarë, për pjesëmarrje në gjoja protestë masovike, sot në ora 12:00, në Jug të Mitrovicës dhe me synim kinse për marshim në Veri të vendit.
Dëshirojmë të sqarojmë se, pas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë është vërtetuar se shumë nga këto profile janë të dyshimta dhe se postimet mund të jenë qëllimkëqija, në dëm të vet qytetarëve dhe interesave të Republikës së Kosovës.
Prandaj, Policia e Kosovës fton qytetarët për qetësi dhe të mos bien pre e asnjë gjoja organizimi nga persona të panjohur, por të lënë institucionet e sigurisë, institucionet e Republikës së Kosovës të trajtojnë situatën me profesionalizëm.
Garantojmë qytetarët se institucionet e Kosovës në përgjithësi, e në veçanti Policia e Kosovës, janë plotësisht të aftë dhe të përkushtuar për të garantuar siguri, rend dhe qetësi për të gjithë qytetarët pa dallim.
Ne e vlerësojmë lartë bashkëpunimin dhe mbështetjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës, në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend”, thuhet në njoftimin e policisë.
Top Channel