Kryeministri Edi Rama ka falënderuar presidentin francez, Emanuel Macron dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz për punën me qëllim realizimin e takimit mes presidentëve Aleksandar Vuçiç dhe Vjosa Osmani në Moldavi.

Ndërsa ka shpërndarë postimin e përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ai u shpreh se po punohet për të finalizuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Nuk mund të falënderoj mjaftueshëm @EmmanuelMacrondhe @Bundeskanzler për atë që po bëjnë për të finalizuar procesin e normalizimit Kosovë-Serbi! Duke i parë ata të ulur me aq respekt me të dyja palët në përpjekje për të zgjidhur një konflikt absurd tregon gjithçka për shpirtin e tyre të madh evropian. Faleminderit!”, shkruan Rama në Twitter.

Situata në veri të Kosovës u tensionua që më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hyjnë në zyrat komunale, mes rezistencës së banorëve lokalë.

Kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se Gjermania dhe Franca u kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë të mbajnë zgjedhje të reja në komunat në veri të Kosovës.

Top Channel