Ndalohet shoferi i kamionit që derdhi patatet në urën në Danimarkë (fotot)

01/06/2023 17:05

Incidenti ndodhi ditën kur parlamenti kaloi një ligj për taksimin e karburantit të kamionëve që transportojnë ngarkesa të rënda.

Një shofer kamioni 57-vjecar është ndaluar pasi një ngarkesë patatesh është gjetur e derdhur në një urë që lidh dy ishuj në Danimarkë, njoftonte sot policia. Shoferi i ndalua me akuzat e pakujdesisë e rrezikimit të jetës.

Lëshimi i parë i patateve në rrugë u pa në urën drejt jugut Storebaelt mëngjesin e të enjtes, tha zëdhënsi Kenneth Taanquist. Ura lidh ishullin e kryeqytetit Copenhagen me pjesën tjetër të Danimarkës.

Por një incident thuajse i njëjtë ndodhi pak më vonë në drejtimin e kundër me të parin, çka bëri policinë të dyshonte. Taanquist shtonte. “Duket shumë e çuditshme, ne po punojmë në dy hipoteza, ose është një aksident ose është është diçka që është bërë qëllimisht”.

Policia tha se si rezultat, rruga është bërë e rrëshkitshme dhe shoferët duhet të reduktojnë shpejtësinë e tyre. Kjo solli formimin e radhëve të gjata të makinave në të dy drejtimet e urës 18km të gjatë dhe në tunelin që lidh ishujt Funen, ku ndodhet qyteti i tretë më i madh i vendit Odense – dhe ishullit Zealand, ku ndodhet Kopenhaen.

Por një incident i tretë me patate është raportuar në një rrugë pranë qytetit Kolding në gadishullin  Jutland, në një afërsi të konsiderueshme me vendndodhjen e parë.

Sipas rrjetit vendas DR, derdhja e patateve në rrugë ndodhi në ditën kur parlamenti kaloi ligjin për taksimin e karburantit të kamionëve që transportojnë mallra të rënda.

Masa ka shkaktuar shumë protesta nga shoferët e kamionëve pasi sjell humbjen e vendeve të punës dhe të të ardhurave te tyre.

Ditët e fundit shoferët kanë bllokuar paqësisht rrugët dhe autostradat në qytetet kryesore, duke pretenduar se kjo mase redukton mjetet e tyre të jetesës.

Por shumica e deputetëve danezë thanë se taksa nevojitet pasi “përdorimi i kamionëve të naftës e benzinës është i paqëndrueshëm për ambientin”.

Ligji thotë se prej vitit 2025, shoferët e mjeteve me kapacitet më shumë se 3.5 ton do të taksohen 1.3 krona daneze (0.2 euro) për çdo kilometër.

Torben Dyhl Hjorth, zëdhënës i kamionistëve protestues tha se ata “distancohen nga veprimet e shoferit të sotëm’” por ata do të vijojnë protestën e tyre “që ajo të dëgjohet pa rrezikuar jetën dhe mirëqenien e të tjerëve”.

FOTO GALERI
1/3
Incidenti ndodhi ditën kur parlamenti kaloi një ligj për taksimin e karburantit të kamionëve që transportojnë ngarkesa të rënda.

Top Channel