Tensionet në veri të Kosovës janë një ndër temat e nxehta të samitit të sotëm të krerëve të 27 shteteve anëtare të Bashkimit Europian dhe 20 vendeve të tjera europiane që mbahet në Kishinëu të Moldavisë.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, pritet të takohet atje me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Një ditë më parë, Borrelli i takua në Bratisllavë dhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Kurtit, ai i ka kërkuar që të luajë rolin e tij në zbutjen e krizës dhe shpreson që të njëjtin mesazh t’ia përcjellë dhe kreut të shtetit serb. Kryediplomati europian paralajmëroi përmes një postimi në Twitter se situata në veri të Kosovës është “e rrezikshme dhe e paqëndrueshme”. Të njëjtin shqetësim e shprehu hapur dhe në Kishinëu.
“Ne duhet ta shtensionojmë. Gjërat duhet të qetësohen. Kemi arritur në një pikë kur është e domosdoshme që nivelet alarmante të dhunës të vëna re në fillim të kësaj jave të ndalen menjëherë. Dështimi për ta bërë këtë mund të çojë në një situatë shumë të rrezikshme”, tha Borell.
Në samitin e Moldavisë merr pjese dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila pritet të takohet atje me shefin e Elizesë, Emmanuel Macron, i cili një ditë më parë ia faturoi Prishtinës zyrtare të gjithë fajin për trazirat në veri.
“Ne ua kemi bërë shumë të qartë autoriteteve kosovare se ishte gabim që të vazhdohej me këto zgjedhje në kontekstin, e mospjesëmarrjes se serbëve”, u shpreh ai.
Kurti ndërkohë ka vazhduar të insistojë se nuk do t’i largojë kryetarët e komunave veriore nga zyrat e tyre, me gjithë kërkesat e diplomacisë perëndimore dhe protestat e grupeve serbe në veri, që u shënjuan nga akte dhune ndaj forcave paqeruajtëse këtë javë.
Top Channel