Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin se SHBA-ja po mendon se çfarë mënyrash të tjera ka për të inkurajuar Qeverinë e Kosovës që të qetësojë situatën në veri.

I pyetur për sanksionet që mund t’i vendosë SHBA-ja Kosovës për moskoordinim me të, Hovenier tha se “ka pasur disa pasoja, por shpresoj ta kalojmë [këtë situatë] që të mos ketë pasoja të tjera”.

“Nuk jam në pozitë të them [çfarë mund të jenë pasojat e tjera]. Por, SHBA-ja po mendon se çfarë mjete të tjera ka për ta inkurajuar Qeverinë e Kosovës për ta bërë atë që ne mendojnë që është e rëndësishme të bëhet tani: arritjen e qetësimit të situatës”, tha Hovenier.

Ai shtoi se i takon Qeverisë së Kosovës ta bëjë këtë gjë, dhe jo SHBA-së.

Si pasojë e parë për situatën e krijuar në veri të vendit, ambasadori Hovenier bëri të ditur më 30 maj se “stërvitjet Defender Europe 2023 kanë marrë fund” për Kosovën.

Top Channel