Zelensky falenderon kancelarin Scholz-in për mbështetjen që i ka dhënë vendit të tij

31/05/2023 13:28

Presidenti ukrainas Zelensky falënderoi me video kancelarin Scholz për mbështetjen e dhënë vendit të tij.

Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se nuk i mbështesin sulmet brenda Rusisë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka vlerësuar kancelarin gjerman Olaf Scholz për rolin e tij në ndihmën që Gjermania i ka dhënë Ukrainës. Në një bisedë telefonike, ai e falënderoi Scholz-in për sistemet e mbrojtjes ajrore të furnizuara nga Gjermania që ndihmuan në shpëtimin e jetëve të Ukrainës, tha Zelensky në videomesazhin e tij të mbrëmjes. Presidenti falënderoi më tej Scholz-in për “vendosmërinë e tij personale, e cila, në shumë mënyra, bëhet përcaktuese për të gjithë Evropën”.

Edhe shumë kohë pas fillimit të luftës së agresionit rus kundër Ukrainës më 24 shkurt 2022, Gjermania është kritikuar për ndihmën e saj hezituese për Kievin. Për këtë tani nuk bëhet më fjalë, pasi Berlini furnizoi me tanke të rënda luftarake dhe sisteme të mbrojtjes ajrore. Zelensky e vlerësoi ndihmën ushtarake totale të Gjermanisë për vendin e tij në tre miliardë euro.

Zelensky e ka bërë të qartë se një sistem efektiv i mbrojtjes ajrore është ndër qëllimet kryesore të politikës së tij të mbrojtjes. “Terrori rus duhet mposhtur çdo ditë dhe natë, në qiejt e çdo qyteti dhe fshati të Ukrainës”, tha ai. Këtë maj, Ukraina po përjeton një numër të paprecedentë sulmesh me dronë dhe raketa brenda një muaji që nga fillimi i luftës.

Shtetet e Bashkuara nuk duan sulme brenda Rusisë

Pas sulmeve me dronë në Moskë, qeveria amerikane ripohoi se nuk do të mbështeste sulmet brenda Rusisë. “Ne kemi qenë të qartë me ukrainasit, jo vetëm publikisht, por edhe privatisht, por nuk duam të përfshihemi në spekulime”, tha në Uashington zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre. Ajo shtoi se po mblidheshin informacione për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur saktësisht.

Sipas informacioneve ruse, tetë dronë luftarakë u rrëzuan në afrimin e Moskës gjatë natës nga e hëna në të martë. Tre prej tyre u qëlluan me mjete elektronike, pesë të tjerë u rrëzuan. Origjina e dronëve nuk u specifikua. Kremlini fajësoi Kievin për sulmet me dron. Qeveria ukrainase e ka hedhur poshtë këtë pretendim. /DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA