Rusia lëshon 11 raketa balistike, politikanët ukrainas braktisin menjëherë seancën! Strehohen nën tokë

31/05/2023 18:16

Një deputet ukrainas ka treguar se si politikanët u strehuan menjëherë nën tokë gjatë një sulmi rus në Kiev në orët e para të mëngjesit të të hënës.

Sipas komandantit të përgjithshëm të forcave të armatosura, Valerii Zaluzhnyi, forcat e Moskës lëshuan 11 raketa balistike dhe lundruese në Kiev rreth orës 11:30 të mëngjesit me orën lokale.

Ai tha se të gjitha raketat u rrëzuan. Deputeti ukrainas Vadym Ivchenko u shpreh se sulmet filluan gjatë një sesioni parlamentar dy-orësh në kryeqytet.

“Kur dëgjuam alarmin, deputetët dhe të gjithë u futën nëntokë në një bodrum vetëm për të qenë të sigurt. Sigurisht, ata zgjedhin kohën pikërisht kur kemi një seancë plenare që zgjat vetëm dy orë dhe ata u përpoqën të godasin qendrën e Kievit me raketa”– tha Ivchenko.

Edhe Ivchenko, si shumë banorë të tjerë të Kievit, është shqetësuar nga tingujt e shpërthimeve gjatë natës gjatë javëve të fundit. Ai thotë se nuk ka mundur të flejë nga frika dhe pasiguria se çfarë mund të ndodhë.

Pavarësisht punës së madhe të mbrojtjes ajrore në Ukrainë, Ivchenko u shpreh se është një kohë e vështirë për gratë dhe fëmijët në zonë.

Sipas administratës ushtarake të Kievit, ka pasur 16 sulme në qytet që nga fillimi i majit, dhe taktikat e armikut duket se kanë ndryshuar duke sulmuar gjatë ditës dhe jo vetëm gjatë natës. Një video e filmuar nga një përdorues i Instagramit tregonte fëmijë duke vrapuar dhe duke bërtitur në rrugët e Kievit gjatë një sulmi.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ndau pamjet në rrjetet sociale, duke tërhequr vëmendjen ndaj realitetit të ashpër me të cilin përballen fëmijët ukrainas.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA