NATO përgatitet të mbajë nga data 12 deri më 23 qershor, stërvitjen më të madhe ajrore të organizuar ndonjëherë në të gjithë historinë e aleancës.
Kjo sipas shtypit gjerman mund të prekë edhe shumë pasagjerë në fluturimet civile, pasi në Gjermani, tre aeroporte do të mbyllen plotësisht një herë në ditë për katër orë. Ekspertët presin pasoja më të mëdha veçanërisht në Frankfurt, Hamburg dhe Berlin, por pjesërisht edhe në Mynih.
Falë përgatitjeve intensive, Qeveria federale, Bundeswehri dhe industria e aviacionit shpresojnë të parandalojnë kaosin gjatë manovrave të mesit te qershorit. Sipas kreut të kontrollit të trafikut ajror në vend, Arndt Schoenemann për momentin nuk ka anulime të planifikuara fluturimesh, por kjo nuk i përjashton rastet e veçanta, dhe as vonesat. 10 mijë ushtarë me 250 avionë ushtarakë, nga të cilët maksimumi 100 nga SHBA dhe 70 nga Gjermania do të angazhohen në stërvitjen “Air Defender”.
Në kuadër të saj, pritet të zhvillohen fluturime të ulëta deri në lartësinë 330 metra. Në stërvitje marrin pjesë 25 vende. Njëra hapësirë ajrore është në Gjermaninë veriperëndimore dhe mbi Detin e Veriut, tjetra mbi Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore dhe Detin Baltik, dhe e treta mbi landet e Bavarisë dhe Baden-Württemberg.
Ministria federale e Transportit njoftoi se aktualisht është duke biseduar me landet në mënyrë që oraret e lejuara të ngritjes dhe uljes së avionëve gjatë këtyre dy javëve të mund të zhvendosen sipas nevojës.
Top Channel