“Moment historik”, prodhohet filetoja e parë e peshkut në një laborator

31/05/2023 13:15

Një printer 3D i ngjashëm me “Star Trek”, ushqim sipas kërkesës, sapo ka prodhuar për herë të parë një fileto peshku.

Steakholder Foods, një startup me bazë në Izrael, prodhoi fileton e peshkut me 3D. “Një moment historik i rëndësishëm në industrinë ushqimore”, thotë Arik Kaufman, CEO i Steakholder Foods.

Kompania u bashkua me Umami Meats me bazë në Singapor për të krijuar fileton. “Në këtë degustim të parë, ne shfaqëm një produkt të kultivuar që copëtohet, shijon dhe shkrihet në gojën tuaj tamam si peshku”, është shprehur Mihir Pershad, bashkëthemelues dhe CEO i Umami Meats.

Ushqimet e detit dhe mishi i kultivuar janë proteina të vërteta që rriten në një laborator duke përdorur qeliza staminale.

Industria e re synon të arrijë shijen e mishit konvencional, por pa kostot tradicionale si për kafshët ashtu edhe për mjedisin.

“Ne po konsumojmë mishin në të njëjtën mënyrë siç e kemi konsumuar mijëra vjet më parë, kështu kemi vendosur që të të marrim një qasje të re për të provuar dhe rishpikur mënyrën se si prodhohet mishi”, tha për CNN Kaufman

Para se të krijonte një fileto peshku, kompania ishte fokusuar kryesisht tek bifteku.

Procesi i kultivimit të mishit fillon me qelizat burimore të marra nga një kafshë dhe të rritura në bioreaktorë, sipas Orit Goldman, nënkryetare e biologjisë në Steakholder Foods. Qelizat diferencohen në qeliza muskulore ose dhjamore që përfundimisht formohen në indet që do të bëhen produkti përfundimtar i mishit.

Ato qeliza të diferencuara të muskujve dhe yndyrës shndërrohen më pas në bio-bojëra (një formulim i qelizave dhe materialeve lidhëse) dhe vendosen në fishekë në printerin 3D. Procesi i printimit lejon që biftekët të jenë të personalizar duke u dhënë konsumatorëve mundësinë të zgjedhin përbërjen e yndyrës.

“Sekreti jonë është në aftësitë e printimit,” i thotë Kaufman CNN, dhe ndërsa shton se biftekët e printuar tani nuk kanë të njëjtën shije dhe teksturë si një biftek i vërtetë, ai është i bindur se do të arrijnë t’i afrohen shijes në dekadën e ardhshme.

Izraeli, ku ka bazën Steakholder Foods, njihet si një vend lider në industrinë alternative të mishit dhe madje është shtëpia e kompanisë së parë që rrit mishin në hapësirë. Në tetor 2021, qeveria izraelite formoi një konsorcium të mishit të kultivuar të mbështetur nga 18 milionë dollarë fonde.

OKB-ja vlerëson se gati 90% e popullsisë globale të peshqve detarë janë të mbipeshkuar. Sa i përket mishit, rritja e bagëtive gjeneron gati 15% të emetimeve totale të gazeve serrë. Sipas një raporti të vitit 2022 nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, mishi i rritur në laborator mund të ndihmojë në uljen e këtyre emetimeve duke reduktuar përdorimin e tokës, ujit dhe lëndëve ushqyese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA