William Saliba rezultoi si një nga lojtarët më të rëndësishëm për Arsenalin në repartin difensiv.
Francezi që iu bashkua londinezëve nga Marseille në verën e kaluar (pjesë e skuadrës së Arsenal prej 2019-tës, por ishte huazuar në Ligue 1), mori menjëherë “frenat” e prapavijës duke u shndërruar në një lider për skuadrën e Mikel Artetas teksa më të në fushë topçinjtë regjistruan plot 11 ndeshje me portën e paprekur.
Pas dëmtimit të Salibas, Arsenali nisi të “fusë ujë” dhe si pasojë u penalizua përballë Manchester Cityt në garën e titullit. Ndaj, duke njohur rëndësinë e 22-vjeçarit në prapavijë, drejtuesit e klubit menduan t’i ofrojnë rinovimin e kontratës, pasi ajo aktualja përfundon në vitin 2024. Sigurisht, kontrata e re do të jetë me kushte të përmirësuara finanaciare, madje ato trefishohen dhe nga 40.000 paund në javë që Saliba përfiton, me kontratën e re do të arkëtonte 120.000 paund.
Por, përfaqësuesit e lojtarit pretendojnë shumë më tepër dhe as që nuk i afrohen kësaj shifre të propozuar nga Arsenali. Në këtë pikë negociatat janë të bllokuara dhe Arsenal druhet se në këtë mes fshihet Paris Saint-Germain.
Kryeqytetasit janë të gatshëm të përmbushin dëshirat ekonomike të Salibas dhe të shfrytëzojnë këtë ngërç për ta rikthyer lojtarin në Francë. Kujtojmë se së fundmi, Arsenal ka nisur një fushatë për të rinovuar me lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës dhe deri më tani ia kanë dalë të “blindojnë” Saka, Martinelli, Gabriel dhe portierin Ramsdale, por Saliba është i pari që po i shkakton drejtuesve “dhimbje koke”./ SuperSport
Top Channel