Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti fajësoi ato që i quajti “banda fashiste” të kontrolluara nga Serbia për dhunën në veri të vendit dhe pohoi për The Guardian se e kishte refuzuar kërkesën e SHBA-së për t`i vendosur kryetarët e komunave në ambiente të tjera, jashtë zyrave të tyre zyrtare me qëllimin të ulen tensionet me serbët lokalë.

Ai zgjodhi që përmes gazetës prestigjioze t`i jepte një përgjigje deklaratës së sekretarit amerikan të shtetit, Anthony Blinken, i cili u shpreh se vendimi i Qeverisë së Kosovës, për të hyrë me forcat në ndërtesat komunale në veri, është marrë “kundër këshillës” së Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë, dhe i cili “i ka përshkallëzuar pa nevojë tensionet”.

“Mendoj se është jo vetëm e padrejtë, e gabuar dhe lënduese, por në të njëjtën kohë është shumë naive. Ndoshta një ditë, Sekretari Blinken do ta sqarojë më në detaje këtë gjë, por përfundimisht nuk ka qenë e dobishme”, tha Kurti.

Kurti pohoi se ka komunikuar tashmë edhe me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Escobari u ka kërkuar autoriteteve të Kosovës që t’i dërgojnë kryetarët në objekte tjera, apo edhe të punojnë prej shtëpisë – kërkesë, të cilën, kreu i ekzekutivit Kosovar e ka hedhur poshtë.

“Nuk mund të kemi kryetarë që punojnë me Zoom, ne jemi republikë demokratike. Një republikë demokratike, nuk mund t’i dorëzohet milicisë fashiste”, tha Kurti.

Pozicionin e tij të palëkundur deri tani për këtë çështje e shpalosi sërish sot me deklaratën se “nëse do t`i jepte kryetarëve urdhër që të kalonin në zyra të tjera, do të dukej sikur po angazhohet ne krijimin e strukturave paralele, duke iu referuar atyre serbe të cilat veprojnë në veri që nga paslufta.

Në Bratisllavë, ku ndodhet në kuadër të Konferencës për Siguri Globale në Bratisllavë, Kurti u takua e përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak. Takimin me diplomatët e lartë e cilësoi si mjaft të rëndësishëm për faktin e thjeshtë, që siç tha, duhet të ketë qartësi lidhur me ngjarjet e fundit në Kosovë të shkaktuara nga Serbia”.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier deklaroi hapur një ditë më parë se Prishtina zyrtare nuk u koordinua me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra në veri dhe, për këtë arsye, i erdhi dhe pasoja e parë, “stërvitjet Defender Europe 2023 kanë marrë fund”, u shpreh kreu i misionit diplomatik të SHBA-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA