Partizani festoi përligjshëm pa fre për titullin e 17 kampion në historinë e kampionateve tona.

Në shtëpinë e tyre të re, që për herë të parë në këtë sezon ngjante tepër e vogël për madhështinë e emrit dhe festës së të kuqve, gjithkush ju gëzua një triumfi në një garë të fituar me foto-finish ndaj rivalëve të tyre më të mëdhenj.

Në dominimin e të kuqes, veçonte një pjesëz e kaltër, si shenjë identifikuese e trajnerit italian Giovani Colella. 56-vjeçari me një karrierë modeste po shijonte suksesin e tij më të madh, ndoshta pa e ditur se po bëhej italiani i parë që shpallej kampion në vendin tonë, trajneri i 43-të me statusin e kampionit në historinë e 84 kampionateve tona, si dhe i huaji i gjashtë që pronëson medaljen më të lakmuar.

Më parë këtë status e kishin provuar turkun Kemal Omarin me Skënderbeun 1933, hungarezi Samo Singer me Tiranën 1934, malazezi Devish Hadziosmanovic me Vllazninë 2001, Stanislav Levy me Skënderbeun 2012 dhe nigeriani gjithashtu me pasaportë shqiptare Emanuel Egbo me Tiranën 2020.

Por ndërkohë që në kampionatin shqiptar titullit kampion i gëzohej një italian, dy senator të trajningut shqiptar i gëzoheshin në njëjtit sukses në Kosovën shqiptare dhe Maqedoninë e Veriut me një dominim absolute nga shqiptarët. Ilir Daja, në stolin e Ballkanit, pronësoi trofeun e dytë radhazi kampion në Superligën e Kosovës, duke e pasuruar në maksimum CV-në e tij pas tre titujve të fituar më parë me Elbasanin, Dinamon dhe Skënderbeun. Ndërkohë që Shpëtim Duro, pasi kontribuoi për rikthimin tek titulli kampion te Skënderbeu pas 78 vitesh, udhëhoqi për herë të parë në histori klubin më të ri Struga Trim&Lum drejt titullit kampion.

Në një shoqëri gjithnjë e më të hapur është e vështirë të pretendosh izolimin e më të mirëve të çdo profesioni brenda kufijve shtetërorë, aq më tepër profesionistë në botën e futbollit, por njëkohësisht nuk mund të mos ndjesh keqardhje që Kategoria jonë Superiore, e ka zbehur dominimin e saj absolute në hapësirën mbarëshqiptare.

Sukseset e arritura nga Daja dhe Duro nuk janë të shkëputura, por vazhdë e një procesi aspak inkurajues për futbollin tonë. Gati një dekadë më parë, Kategoria Superiore ishte adresa më e lakmuar për futbollistët më të mirë në të gjitha trojet tona, aq sa FSHF për të përballuar këtë fluks hoqi barrierat, duke mos i konsideruar të huaj lojtarët e Kosovës dhe ata nga Maqedonia e Veriut. Tanimë Kategoria Superiore nuk është më adresa e preferuar, për një shumicë lojtarësh, por edhe më të mirët e klasës sonë të trajnerëve.

Statusi aktual i Ilir Dajës dhe Shpëtim Duros, i Ernest Gjokës dhe Mirel Josës pak vite më parë, apo i Orges Shehit më shumë mundësi në të ardhmen, janë një mesazh për të gjitha klubet tona për të ndërtuar strategji të detajuara, projekte sportive afatgjata, ambiente sa më profesioniste dhe për të dhënë garanci më të mëdha financiare. Në të kundërt kampionati i Shqipërisë do ta humbasë pa kthim statusin e liderit në hapësirën mbarëshqiptare dhe rrjedhimisht edhe mundësinë për të qenë konkurrues në garat europiane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA