“Ka hezitim për marrëveshjen”/ Rama shpjegon tensionin në veri të Kosovës me politikën e brendshme

31/05/2023 15:07

Kryeministri Edi Rama tek sa po fliste në forumin GLOBSEC 2023 në Bratislavë tregoi se i kishte ardhur një Twitter ku ngrihet pyetja: “Për çfarë mendoni se po përgatitet ushtria serbe?”

Po përqendrohesha tek ajo që shkruhej “Ushtria serbe në kufi”. Kjo është shfaqja më e pabesueshme e politikës së brendshme sepse ushtria serbe në kufi të Kosovës ka një fuqi të barabartë me zero. Është njësoj si ushtria meksikane të shfaqej në kufi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çfarë mund të bëjë? Me gjithë respektin e mundshëm sepse e dua Meksikën, por çfarë mund të bëjë? Asgjë, absolutisht asgjë. Ka të bëjë vetëm me politikën e brendshme. Ka shumë lidhur me politikën e brendshme dhe me atë çfarë ndodh në kufirin me Kosovën“-u shpreh Rama.

Duke përdorur edhe një dozë humori, kryeministri Rama dha shpjegimin e tij për situatën e tensionuar të ditëve të fundit në Kosovë.

Për fat të keq, përpara se të vijë vera kemi gjithmonë problem në pjesën veriore të Kosovës. Nuk e di pse ndodh gjithmonë në verë, ndoshta sepse në Kosovë e në Serbi nuk kanë det dhe kokat nxehen. Ku ishim 20 vjet më parë, ku ishim 10 vjet më parë? Ishim në një gjendje shumë më të vështirë. Sot Ballkani Perëndimor është në pozitën e vet më të mirë, edhe midis Kosovës dhe Serbisë gjërat nuk kanë qenë më mirë sepse janë vetëm një hap larg përmbylljes së një marrëveshjeje historike. Tani, të dyja palët kanë një lloj hezitimi sepse e shikojmë që kjo do të realizohet dhe nuk do t’ju duhet më ta luftojnë njëri-tjetrin”-tha Rama.

Tensionet në veri të Kosovës theksoi Edi Rama nuk duhet të arrinin në këtë pikë.

Tani ky konflikt aty, ka një arsye e cila në këndvështrimin tim, mund të ishte shmangur krejtësisht, që në këndvështrimin tim nuk është tregues i problemeve konkrete. Këta kryetarë komunash të zgjedhur me 1% të popullsisë, ndërkohë që 99% e komunitetit aty nuk kanë votuar e ndihen të pa përfaqësuar, por thelbi është që ka një marrëveshje që duhet përmbyllur, njohja reciproke që është  diçka e jashtëzakonshme dhe ka një hezitim për ta arritur këtë marrëveshje që prodhon këto situata.”- shtoi Rama.

Në këtë forum kreu qeverisë shqiptare  ritheksoi nevojën e një ndryshimi thelbësor nga BE për vendet e Ballkanit perëndimor për sa i përket mbështetjes ekonomike. Shembullin e solli nga koha e pandemisë kur Shqipëria u ndihmua më shumë nga Turqia krahasuar me BE-n.

Kur të gjithë ne u izoluam tërësisht dhe pamë vendet e BE që nxitonin të ruanin veten brenda mureve të kufijve të tyre dhe kur erdhën vaksinat bënë një shpërndarje të vaksinave që shkartoi tërësisht faktin që kishte 6 vende të rrethuar nga kufijtë e BE që kishin po të njëjtën nevojë. Ajo çfarë ndodhi ishte që ne si shqiptarë vrapuam tek Turqia, ndërkohë Serbia te Kina dhe Rusia, Maqedonia e Veriut vrapoi tek të gjitha, e kështu me radhë për të gjetur ndihmë për të shpëtuar jetët. Pra në qoftë se nuk do të kishte qenë për Presidentin e Turqisë zotin Erdogan, Shqipëria do të ishte përballur me shumë më tepër vdekje, ndërkohë që BE po kujdesej thjeshtë për veten e vet dhe u desh nuk e di sesa kohë që ata t’i kthenin sytë tek ne dhe pastaj situata ishte mirë sepse na dhanë shumë vaksina.”-theksoi Kryeministri.

Kjo deklaroi Edi Rama ishte një marrëzi, por ishte realiteti.

Top Channel