Burri pranon gjymtimin e këmbës së kreut të grupit të kastrimeve online (fotot)

31/05/2023 18:51

Jacob Crimi-Appleby, anëtar i një grupi të modifikimeve ekstreme trupore, ka pranuar se i ka ngrirë qëllimisht këmbën personit që më pas u detyrua ta priste.

Appleby besohet se ishte anëtar i një grupi modifikimesh ekstreme trupore dhe ngrirjen e këmbës ia bëri kreut të grupit ku bënte pjesë edhe vetë, një rrjet sadistësh që publikonin kastrime apo prerje organesh dhe reklamohej si “prodhues eunukësh”.

22 vjeçari nga Surrey në jug të Londrës, pranoi sot në gjykatë se kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore në shkurt 2019 ndaj Marius Gustavson, i cili më pas ishte detyruar të priste këmbën e tij.

Gustavson, me origjinë nga Norvegjia, besohet se ishte pjesë e një konspiracioni të gjerë ku përfshiheshin modifikime ekstreme trupore, prerje, heqje dhe tregtim organesh apo publikim të praktikave ekstreme në rrjet.

Procedurat makabre filmoheshin dhe publikoheshin me pagesë në faqen e “prodhuesve te eunukëve” të Gustavson.

Në seancën gjyqësore, 45-vjeçari me banim në Haringey, në veri të Londrës, refuzoi akuzat e lëndimeve trupore ndaj tre burrave nga viti 2018 deri në 2019.

Akuzat varionin nga prerje apo gjymtim i organeve gjenitale të burrave, të cilët nuk identifikoheshin për arsye ligjore.

Dy persona të tjerë kanë pranuar procedura të tilla të kryera edhe ndaj Gustavson. Nathan Arnold, 48 vjeç nga South Kensington në qendër të Londrës, pranonte modifikime ekstreme të kryer ndaj Gustavson, si dhe vjedhje anestetikesh nga spitali i Chelsea, ku punonte si infermier.

35 vjecari Damien Byrnes, nga Tottenham, ka pranuar më parë se kishte prerë penisin e Gustavson.

Ai që njihej si “krahu i djathtë” i Gustavson, Peter Wates, 66 vjeç nga Londra ka pranuar disa akuza lëndimesh të rënda trupore nga viti 2016 deri në janar 2022. Wates besohet se është përfshirë në të paktën  29 incidente.

Rumuni Ion Ciucur, 29 vjeç, i cili punon në një hotel në Skoci, besohet se është përfshirë në dy incidente gjymtimesh.

Të tjerë të ndaluar të grupit ekstremist janë David Carruthers, 60 vjeç, Janus Atkin, 38, e Ashley Williams, 31, të gjithë nga Uellsi.

Nuk ka shumë të dhëna mbi motivimin  e tyre por të akuzuarit janë pjesë e një shoqërie të gjymtimeve e modifikimeve të rënda trupore sipas një ideologjie për të kthyer njeriun në “nullos” – ndryshe eunuk – duke hequr organet e tyre gjenitale.

Gjykatësi Mark Lucraft KC ka caktuar seancën e ardhshme të cështjes së pazakontë më 30 qershor.

FOTO GALERI
2/5
22 vjeçari nga Surrey në jug të Londrës, pranoi sot në gjykatë se kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore në shkurt 2019 ndaj Marius Gustavson

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA