SHBA kërkon dialog nga Kosova dhe Serbia/ Blinken: Tensionet u përshkallëzuan në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme

31/05/2023 08:08

Tensionet në veri të Kosovës duhet të ulen, ky ishte apeli i dytë brenda pak ditësh i sekretarit amerikan të shtetit Anthony Blinken, i cili ndonëse kishte vërejtje për të dyja palët, më shumë u duk se po fshikullonte Prishtinën.

Pavarësisht se e cilësoi të papranueshme dhunën kundër trupave të KFOR-it, forcave të rendit dhe gazetarëve, ai sërish gishtin e drejtoi më shumë nga qeveria e Kosovës për acarimin e situatës.

“Vendimi i qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat e komunave, i acaroi thellë dhe pa nevojë tensionet. Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij duhet të marrin masa që kryetarët e zgjedhur të komunave, t’i kryejnë detyrat e tyre të kësaj faze tranzicioni, në mjedise alternative, jo në ndërtesat e komunave dhe të tërheqin forcat policore përreth tyre”, u shpreh Blinken.

Blinken nuk la pa përmendur gjithashtu edhe lëvizjet e Beogradit, duke i kujtuar se edhe ai është në lupën e SHBA-së.

“Presidenti Vuçiç dhe qeveria e Serbisë duhet të ulin nivelin e gatishmërisë së forcave ushtarake serbe dhe t’i bëjnë thirrje banorëve serbë të Kosovës të mos kundërshtojnë KFOR-in dhe të mos kryejnë veprime të dhunshme”, tha ai.

Ai kërkoi nga të dyja palët të ripohojnë menjëherë angazhimin për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA