Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati dhe partneri kyç i Kosovës, pavarësisht dallimeve.

Ai ka thënë se është Serbia ajo që duhet të sanksionohet meqë “po e financon milicinë fashiste në pjesën veriore të vendit tim”.

“Ata që flasin për sanksione ndoshta duhet të mendojnë më gjerë apo më thellë. Serbia nuk po vendos sanksione ndaj Federatës Ruse dhe po e financon këtë milici fashiste në pjesën veriore të vendit tim, ndaj ndoshta duhet të (marrin) sanksione”, ka thënë Kurti në një intervistë për Financial Times.

Ai i ka deklaruar se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me ambasadorin amerikan në Kosovë.

“E pranoj se sa i përket veprimeve të marra kemi pasur një dallim të vogël, por sinqerisht nuk e ndjej se asnjë lloj sanksioni (për) Kosovën… është masa e duhur”, ka thënë ai.

Shefi i ekzekutivit ka thënë se është i gatshëm të zhvillojë një takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiç me ndërmjetësimin e Brukselit.

Ai gjithashtu ka përshëndetur vendosjen e më shumë trupave të NATO-s në Kosovë, duke thënë se “unë kam bërë thirrje për më shumë ushtarë të NATO-s që nga viti i kaluar”.

Për këtë intervistë, ka njoftuar edhe vet Kurti përmes llogarisë së tij në Twitter.

Të mërkurën ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka bërë të ditur se Kosova është përjashtuar nga stërvitja “Defender Europe ’23”, si masë sanksionuese pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

Ai ka deklaruar se janë duke menduar për implikime të tjera, ndërsa ka theksuar se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me ShBA-të për veprimet e ndërmarra në pjesën veriore të vendit.

Ambasadori amerikan ka theksuar dy kërkesa për Qeverinë e Kosovës: të mos insistojë që kryetarët e zgjedhur të punojnë nga ndërtesat komunale, si dhe të tërheqë zyrtarët policorë nga ndërtesat e komunave.

Top Channel