SHBA-ja dhe BE-ja, të shqetësuar për ligjin që i hap rrugë hetimit të “ndikimit rus” në Poloni

30/05/2023 12:19

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë shprehur të shqetësuara për një ligj të ri në Poloni, përmes të cilit krijohet një komision për hetimin e “ndikimit rus”.

Kritikët thonë se Varshava do ta përdorë këtë organ për ta shtypur opozitën.

BE-ja është shprehur “veçanërisht e shqetësuar” nga lajmet për këtë ligj të ri, sipas të cilit komisioni i krijuar do të kishte kompetenca për t’ua ndaluar qytetarëve marrjen e posteve publike, tha më 30 maj komisionari i drejtësisë i bllokut evropian.

Brukseli shqetësohet se komisioni i ri mund të përdoret kundër gjyqtarëve të pavarur në Poloni dhe komisionari Didier Reynders shtoi se Komisioni Evropian “nuk do të hezitojë të marrë masa nëse është e nevojshme”.

Në një deklaratë të publikuar më 29 maj, Departamenti i Shtetit i SHBA-së tha se ishte “i shqetësuar nga miratimi i legjislacionit të ri nga qeveria polake, që mund të keqpërdoret për të ndërhyrë në zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Poloni”.

Departamenti amerikan i Shtetit tutje vuri në dukje “shqetësimet e shprehura nga shumë vëzhgues se ky ligj për të krijuar një komision për ta hetuar ndikimin rus mund të përdoret për ta bllokuar kandidaturën e politikanëve të opozitës pa një proces të rregullt”.

Më 29 maj, presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, nënshkroi ligjin e kontestuar, duke mundësuar krijimin e komisionit që opozita e cilësoi si “antikushtetues” dhe “stalinist”.

Nëntë anëtarët e komisionit, të emëruar nga parlamenti, do të vendosin nëse individët që hetohen i janë nënshtruar ndikimit rus midis viteve 2007 dhe 2022 dhe do të vendosin dënimet për ta.

Qeveria nuk ka parashikuar asnjë proces ankimi për personat që shpallen fajtorë, të cilëve mund t’u ndalohet për dhjetë vjet marrja e posteve publike që kanë të bëjnë me financa publike dhe informacion të klasifikuar. /REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA