Serbët hoqën targën dhe shkruajtën simbole serbe në makinën e Top Channel/ Policia: Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit

30/05/2023 11:51

Policia e ka cilësuar rastin e dëmtimit të automjetit të ekipit të Top Channel, por jo vetëm, në veri të Kosovës si nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, si dhe asgjësim apo dëmtim prone.

Në automjet janë shkruar simbole nacionaliste serbe dhe automjetit i është hequr targa. Protestuesit serbë kanë hedhur edhe bojë të zezë mbi xhamin e përparëm të automjetit.

Sipas denoncimit të bërë nga korrespondentja e Top Channel në Kosovë, policia ka cilësuar: “Zveçan/ Ankuesja femër kosovare, ka raportuar se derisa ka qenë duke filmuar protestën në Zveçan, kur janë kthyer tek automjeti i tyre kanë vërejtur se u është hequr targa nga automjeti dhe me sprej kanë shkruar katër S, dhe në parafango është hedhur ngjyrë.”

Ndërkohë edhe nga anketuesit kosovarë ka pasur denoncime: “Leposaviq/ Ankuesit kosovarë kanë raportuar se në automjetet e mediave kanë gjetur të shkruar simbole nacionale serbe katër S, goma të dëmtuara si dhe ngjyrë të kuqe. Rasti është duke u hetuar.”

Ndërsa një makinë u raportua e djegur në Zubin Patok: “Zubin Potok/ Është raportuar se në afërsi të qytetit është djegur një automjet që dyshohet se është djegur nga protestuesit që kanë marrë pjesë në Zubin Potok. Rasti është duke u hetuar.”

Top Channel