Presidenti i Lituanisë Gitanas Nauseda ka theksuar nevojën për një prani të shtuar të NATO-s në kufirin lindor të aleancës, në kohën e konfliktit të vazhdueshëm të Rusisë me Ukrainën.
Gjatë një takimi me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier në Vilnius më 30 maj, Nauseda theksoi rëndësinë e forcimit të aleancës në këtë rajon.
Ai bëri thirrje për krijimin e sistemeve të fuqishme të mbrojtjes ajrore dhe raketore, si dhe një vendosje më të madhe të forcave aleate.
“Kjo është një vijë e frontit që duhet të jetë shumë e fortë. Ne kemi nevojë për mbrojtje ajrore dhe raketore dhe një prani më të madhe të forcave aleate në rajon”, tha ai.
Nauseda theksoi gjithashtu rolin e domosdoshëm të angazhimit të qëndrueshëm të Gjermanisë ndaj sigurisë së Lituanisë, i cili është vendimtar për ruajtjen e të gjithë krahut lindor të NATO-s.
Aktualisht, një njësi luftarake e NATO-s në Lituani, e udhëhequr nga Gjermania, përbëhet nga 760 ushtarë gjermanë.
Lituania është mbështetëse e fortë e Ukrainës dhe kundërshton pushtimin e saj nga Rusia. Parlamenti lituanez miratoi muajin e kaluar një rezolutë, e cila propozon që Ukrainës t’i jepet ftesa për anëtarësim në NATO gjatë samitit të aleancës që do të mbahet në korrik, në këtë shtet. Nga 141 deputetë të parlamentit, 129 morën pjesë në votim dhe të gjithë e votuan pro rezolutës.
“Ne besojmë se Ukraina do të kontribuojë në sigurinë tonë dhe do ta bëjë NATO-n më të fortë,” tha kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme, Zygimantas Pavilionis.
Samiti i ardhshëm i NATO-s është planifikuar të mbahet më 11-12 korrik në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnius.
Në shkurt, Ukraina tha se shpreson të marrë ftesën për anëtarësim në NATO në fillim të kësaj vere. Më 30 shtator të vitit të kaluar, Ukraina ka dorëzuar kërkesën për aplikim për anëtarësim në NATO përmes procedurës së përshpejtuar.
Në ditën e aplikimit, sekretarit i përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, kur u pyet për ofertën e Ukrainës në NATO tha se “çdo demokraci në Evropë ka të drejtë të aplikojë për anëtarësim në NATO dhe aleatët e NATO-s e respektojnë këtë të drejtë. Dhe, ne kemi deklaruar vazhdimisht se dera e NATO-s mbetet e hapur”./REL
Top Channel