Kundërshtarët e mundshëm të Partizanit, Xhixha dhe Ismailgeci rivalë të mundshëm

30/05/2023 15:32

Partizani fitoi të drejtën për të qenë përfaqësuesja e Shqipërisë në kualifikueset e Champions League.

“Demat” do e nisin aventurën e tyre në Ligën e Kampionëve, ku do të pozicionohen në vazon e dytë, ose e thënë ndryshe në vazon e skuadrave jofavorite.

Në të njëjtën vazo janë dhe kampionët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Ballkani dhe Struga, çka do të thotë se nuk mund të ketë një derbi shqiptar mes ekipeve shqiptare në këtë raund. Kampionët e Shqipërisë rrezikojnë kundërshtar shumë të vështirë.

Ferencvaros, Qarabagu i Redon Xhixhës, Slovan Bratislava, Sheriff Tiraspol, BATE Borisov, Astana, Olimpija Ljubljana dhe Maccabi Haifa janë disa prej ekipeve që kanë koeficientin më të lartë që mund të vihen përballë të kuqve.

Zalgiris, HJK, Flora, Shamrock Rovers, The New Saints janë disa prej ekipeve që mund të konsiderohen skuadra më të pranueshme, ndërsa përballë “Demave” mund të vihen dhe kampionët e Bosnjes, Zrinjski Mostar, skuadër që eliminoi Tiranën sezonin e shkuar, ku tashmë aktivizohet Marsel Ismailgeci. Po ashtu skuadra e fundit e vazos së parë ende nuk është përcaktuar, pasi do të jetë skuadra kampione e Bullgarisë, me titullin që diskutohet mes Ludogorets dhe CSKA Sofie.

Partizani me pak fat mund të kenë një verë të gjatë europiane. Në rast se ata nuk arrijnë të kalojnë raundin e parë të Champions, aventura e tyre do të zhvendoset në turin e dytë të Conference League, ku do të ndeshet me ekipet që eliminohen nga Champions. Të njëjtët kundërshtarë të mundshëm janë dhe për Strugën dhe Ballkanin që gjithashtu do të synojnë që të kenë një aventurë sa më të suksesshme europiane.

Shorti i raundit të parë të Champions do të hidhet në datën 20 qershor, ndërkohë që ndeshjet e para do të luhen në datat 11-12 korrik dhe ato të kthimit në 18-19.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA