Agjencia shtetërore e lajmeve të Koresë së Veriut njoftoi të martën se Pheniani do të lëshojë satelitin e parë zbulues ushtarak në qershor, për vëzhgimin e drejtpërdrejtë në terren të veprimeve ushtarake të Shteteve të Bashkuara.
Në deklaratën e bërë publike nga Agjencia Qendrore e Lajmeve të Koresë së Veriut (KCNA), Ri Pyong Chol, zëvëndës kryetar i Komisionit Qendror Ushatarak të Partisë së Punëtorëve në pushtet, denoncoi stërvitjet e përbashkëta ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut duke i cilësuar si dëshmi të qarta “të ambicies së tyre të papërgjegjshme për agresion”.
Gjatë muajve të fundit, Uashingtoni dhe Seuli kanë kryer një seri stërvitjesh të përbashkëta ushtarake, përfshirë dhe atë të javës së shkuar, që ata e cilësuan si stërvitjen më të madhe të përbashkët me municion të vërtetë, mbas pakësimit të numrit të stërvitjeve për shkak të kufizimeve të Covid-19 dhe shpresave lidhur me përpjekjet diplomatike me Korenë e Veriut.
Koha e saktë e lëshimit të satelitit spiun nuk është njoftuar ende, por Koreja e Veriut ka vënë në dijeni Japoninë për planet e saj për dërgimin e satelitit mes 21 majit dhe 11 qershorit duke detyruar Tokion që të vendosë në gatishmëri të lartë mbrojtjen e saj raketore balistike.
Japonia ka thënë se do të rrëzojë çdo raketë që kërcënon territorin e saj.
Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit tha të hënën se çdo veprim i Koresë së Veriut që përdor teknologjine e raketave balistike, përfshirë satelitin, do të përbënte shkelje të rezolutave të Kombeve të Bashkuara.
Top Channel