Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier tha se anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjet “Defender Europe 2023”, është pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës, e cila refuzoi thirrjet e Uashingtonit që të shtensionojë situatën në veri.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken paralajmëroi më 26 maj se veprimet e Qeverisë së Kosovës në komunat veriore, do të rezultojnë me pasoja në raportet dypalëshe Kosovë-Serbi.

“Treguesi i parë i kësaj ishte vendimi që u mor natën e shkuar nga komandanti amerikan për Evropën për të anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në Defender Europe 2023, gjë që ndodhi gjatë natës. Për Kosovën këto stërvitje kanë përfunduar”, shtoi ai.

SHBA-ja ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, duke theksuar se kryetarët e rinj shqiptarë në komunat veriore “hynë me forcë” në ndërtesat komunale në veri.

Hovenier tha se SHBA-ja po mendon edhe për vendime të tjera që do të marrë në këtë drejtim.

“Ne i kemi kërkuar [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti për të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të shtensionuar situatën në veri. Ai nuk u është përgjigjur këtyre kërkesave. Prandaj, ne po shqyrtojmë se cilat do të jenë veprimet tona të tjera”, tha ai.

Top Channel