Një grup ekspertësh, përfshirë drejtuesit e OpenAI dhe Google Deepmind, kanë paralajmëruar përmes një deklaratë të përbashkët se Inteligjenca Artificiale mund të çojë në zhdukjen e njerëzimit.
Dhjetëra ekspertë të kësaj industrie e kanë mbështetur deklaratën e publikuar në faqen e internetit të Qendrës për Sigurinë e Inteligjencës Artificiale.
“Zbutja e rrezikut të zhdukjes nga inteligjenca artificiale duhet të jetë prioritet global, krahas rreziqeve të tjera si pandemitë dhe lufta bërthamore”, thuhet në këtë deklaratë.
Sam Altman, shefi ekzekutiv i OpenAI që krijoi ChatGPT, Demis Hassabis, shefi ekzekutiv i Google DeepMind, dhe Dario Amodei, nga kompania Anthropic, kanë mbështetur këtë deklaratë.
Në mesin e nënshkruesve ishte edhe Geoffrey Hinton, i ashtuquajturi “kumbara i inteligjencës artificiale”. Hinton, krijues i disa nga teknologjive bazë për sistemet e inteligjencës artificiale, kishte paralajmëruar edhe më parë për rreziqet nga inteligjenca artificiale.
Megjithatë, disa ekspertë besojnë se frika që inteligjenca artificiale mund të çojë deri në zhdukjen e njerëzimit është jorealiste.
Shqetësimi i tyre më i madh ka qenë ideja e të ashtuquajturës inteligjencë e përgjithshme artificiale (AGI). Ky koncept përshkruan momentin kur makinat të bëhen të afta të kryejnë funksione të një game të gjerë dhe të mund ta zhvillojnë programimin e tyre vetë.
Frika është se njerëzit nuk do të kenë më kontroll mbi inteligjencën artificiale, gjë që ekspertët kanë paralajmëruar se mund të ketë pasoja të tmerrshme.
Kjo deklaratë e fundit e përbashkët vjen dy muaj pasi miliarderi Elon Musk dhe të tjerë kërkuan një pauzë në zhvillimin e një teknologjie të tillë derisa të verifikohet siguria e saj./ REL
Top Channel