“Do të angazhohen 700 trupa shtesë”/ Situata në veri të Kosovës, Stoltenberg: Dënojmë sulmet e paprovokuara kundër KFOR

30/05/2023 20:22

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dënoi sulmet kundër forcave të aleancës në Kosovë, pasi 30 ushtarë të saj u plagosën në përleshjet me protestuesit serbë.

Në një konferencë për media me kryeministrin norvegjez, Jonas Gahr Store theksoi se ato janë të “papranueshme”.

“Ne dënojmë fuqishëm sulmet e paprovokuara kundër trupave të KFOR në veri të Kosovës, të cilat çuan në plagosjen e 30 ushtarëve. Sulme të tilla janë të papranueshme që forcat e NATO-s të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt për qytetarët në Kosovë”, u shpreh Jens Stoltenberg.

Ai njoftoi se aleanca veri-atlantike do ta rrisë me 700 numrin e trupave në Kosovë, në kuadër të misionit të KFOR.

Ne kemi vendosur t’i angazhojmë 700 trupa shtesë nga Forca Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor, dhe që të ngremë në nivel të lartë gatishmërinë e një batalioni shtesë të forcave rezervë, ashtu që ata të mund të angazhohen, nëse do të ketë nevojë”, deklaroi ai.

Sipas Stoltenbergut, dhuna është duke e kthyer mbrapa Kosovën dhe gjithë rajonin, si dhe i vë në rrezik aspiratat euro-atlantike.

Më herët ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra në veri dhe, për këtë arsye nuk do të marrë pjesë në stërvitjet Defender Europe 2023.

Që nga 26 maji, në veri të Kosovës janë rritur tensionet, pasi atë ditë, krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut u futën në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA