CNN renditi Shqipërinë mes 12 destinacioneve turistike/ Rama: Eksperiencë unike për 2023

30/05/2023 10:46

“Një perle Mesdhetare”; këtë përshkrim i bëri CNN vendit tonë në shkrimin e fundit ku rendit 12 alternativat për t`u vizituar këtë verë, e mes tyre është edhe Shqipëria.

Artikulli mori dhe vëmendjen e kryeministrit Edi Rama që e ndau atë në Facebook, duke theksuar sesi gjiganti mediatik botëror e përmend vendin tonë si destinacion të turizmit të qëndrueshëm, mes bregdetit fantastik, natyrës dhe trashëgimisë kulturore, e që ofron një eksperiencë unike të pushimeve për vitin 2023.

Shqipëria, thuhet aty, ka të ngjarë të jetë më pak e mbushur me njerëz këtë verë sesa Greqia dhe Kroacia. Joao Donadel, një këshilltar udhëtimesh, rreshtoi për CNN disa arsye përse duhet planifikuar një vizitë këtu: mes tyre, ajo që përshkroi si një vijë bregdetare të mrekullueshme me plazhe të pacenuara; Butrinti, një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, plus mundësi për shëtitje, ecje dhe eksplorim të jashtëzakonshëm.

Udhëtimet ndërkombëtare ishin rritur tashmë në 80% të niveleve përpara pandemisë së koronavirusit gjatë tremujorit të parë të këtij viti, dhe vera pritet të sjellë lëvizje të mëdha vizitorësh sipas Organizatës Botërore të Turizmit. Kjo do të thotë, sipas CNN, se shumë plane për pushimet verore mund të paraqesin sfida për udhëtarët pasi fluturimet për një destinacionesh janë mbushur plot e disa kompani janë duke shënuar rekord në shitjen e biletave. Shqipëria renditet prej medias së njohur si një ndër destinacionet e preferuara sivjet krahas vendesh të njohura si magnete të turistëve nëpër botë si Spanja, Malta e Tajlanda.

Top Channel