Biden shënon Ditën e të Rënëve gati 2 vjet pas përfundimit të luftës më të gjatë të Amerikës

30/05/2023 08:06

Dje në Shtetet e Bashkuara u shënua Dita e të Rënëve, në të cilën vendi nderon ata që kanë dhënë jetën në shërbim të vendit.

Presidenti Joe Biden lavdëroi sakrificën e brezave të trupave amerikane që dhanë jetën duke luftuar për vendin e tyre, ndërsa shënoi Ditën e të Rënëve në një ceremoni të vendosjes së kurorës në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit. “Nuk duhet të harrojmë asnjëherë çmimin e paguar për të mbrojtur demokracinë tonë”, tha presidenti në një fjalim që mbajti me rastin e kësaj dite.

Presidenti Biden është krenar që administrata e tij ka patur një kohë paqeje relative për ushtrinë amerikane pas dy dekadash lufte në Afganistan dhe Irak. Kanë kaluar gati 21 muaj që kur presidenti demokrat i dha fund luftës më të gjatë të Shteteve të Bashkuara në Afganistan. Presidenti Biden e përmbushi premtimin e fushatës për t’i dhënë fund një lufte 20-vjeçare që mori jetën e 2,400 anëtarëve të shërbimit amerikan.

Presidenti Joe Biden vendosi një kurorë me lulet në varrin e ushtarit të panjohur tek Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, ku janë varrosur rreth 400 mijë veteranë.

Dita e të Rënëve u shënua për herë të parë me aktivitete të shumta në vitin 1868, kur vendi po rimëkëmbej nga Lufta Civile Amerikane. Ajo u bë një festë federale më shumë se një shekull më vonë në vitin 1971.

Dita e të Rënëve është gjithashtu një ditë optimizmi, që shënon fillimin e sezonit të verës në Shtetet e Bashkuara. /VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA