NATO ka dënuar sulmet e paprovokuara kundër trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, të cilat kanë çuar në plagosjen e ushtarëve.

Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, deklaroi se sulme të tilla janë krejtësisht të papranueshme dhe se dhuna duhet të ndalet menjëherë.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga veprimet që nxisin më tej tensionet dhe të angazhohen në dialog. KFOR-i do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt”, tha ajo.

Nga ana tjetër ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier u shpreh se duhet të ulen menjëherë tensionet, të cilat janë edhe më të shtuara ditët e fundit.

“Jemi thellësisht të shqetësuar, e përsëris, qeveria e SHBA-së dhe ato të Quintit , të gjitha besojnë se është e rëndësishme të shmangim rrethanat kur zyrtarët të hyjnë nëpër ndërtesa përmes përdorimit të forcës, ky mbetet qëndrimi ynë”, u shpreh ai.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, e cila ka qenë gjithmonë një zë i fuqishëm në mbrojtje të Kosovës në Bruksel, u shpreh gjithashtu kritike për lëvizjet e Prishtinës zyrtare.

“Qeveria e Kosovës po rrezikon shumë me këto manovra në veri. Natyrisht, kryetarët e zgjedhur janë zgjedhur në mënyrë ligjore. Por, kjo nuk do të thotë se kanë legjitimitetin për të hyrë në këto objekte dhe të kenë qasje me forcë. Askush nuk mund të udhëheqë me një apo dy për qind të votave”, u shpreh ajo.

Kryeministrja Giorgia Meloni ka reaguar pas zhvillimeve në komunat veriore të Kosovës ku 25 ushtarë të KFOR-it, prej tyre 11 italianë, janë plagosur pasi u sulmuan nga serbët me objekte të forta.

Ajo ka dënuar sulmin ndaj misionit të KFOR-it pjesë e së cilës janë edhe ushtarë nga kombe të tjera, duke shtuar se nuk do të tolerojnë sulme të mëtejshme ndaj KFOR-it.

“Kjo që po ndodh është absolutisht e papranueshme dhe e papërgjegjshme. Ne nuk do të tolerojmë sulme të mëtejshme ndaj KFOR-it. Angazhimi i qeverisë italiane për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor është maksimal dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë”, deklaroi ajo.

KFOR-i ka konfirmuar se rreth 25 ushtarë të këtij misioni janë plagosur në Zveçan gjatë protestave nga qytetarët serbë. Ata janë nën vëzhgim nga personeli mjekësor i cili po vlerëson gjendjen e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA