Dy kërkesa i paraqiti përfaqësuesve të KFOR-it kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç në mënyrë që protestuesit serbë të tërhiqen nga ndërtesat e komunave në veri.

“Kërkesat tona janë që sherifët – siç e quajnë ata veten – të cilët janë të paligjshëm, të shkojnë në shtëpitë e tyre dhe të drejtojnë njerëzit e tyre. Po kështu, të gjitha njësitë speciale në ndërtesën e komunës, përreth komunës, të tërhiqen në jug, sepse ky nuk është stacion policie, është bashki e qytetit”, deklaroi Rakiç nga Zvecani.

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiç foli pas tij duke paralajmëruar se protestuesit do të qëndrojnë deri në plotësimin e kërkesave të paraqitura.

“Ne nuk do të largohemi derisa ata të tërhiqen. Presim që KFOR-i të qëndrojë neutral ndaj statusit, të mos ofrojë mbrojtje për njësitë e paligjshme parapolicore, të ruajë paqen sepse ne jemi të interesuar për paqe. Qytetarët erdhën këtu për të mbrojtur paqen dhe familjet e tyre”, tha ai.

Pas rritjes së tensioneve në veri më 26 maj, Lista Serbe kërkoi nga presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, dhe qeveria serbe që të ndërpresin apo pezullojnë dialogun me Kosovën, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Asistenca që Policia e Kosovës i ofroi në 26 maj kryetarëve te rinj shqiptarë për të hyrë në zyrat e tyre u kundërshtua nga nga serbët lokalë, të cilët u përleshën me efektivët. Veprimet e Prishtinës u dënuan ashpër nga faktori ndërkombëtar, që ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të heqë dorë nga “masat e dhunshme”.

Top Channel