Qeveria ka nisur procesin e zëvendësimit të disa ambasadorëve të cilëve u ka mbaruar mandati, apo janë drejt daljes në pension.

Qeveria shqiptare i nis këto ndryshime të ambasadorëve të cilat duhet të ishin bërë shumë kohë më parë, por të qenurit e Ilir Metës president, shikohej si një mur pengese për emërimet e reja. Ky proces fillon tashmë që Bajram Begaj është kreu i shtetit.

Top Channel mëson se në presidencë gjatë kësaj jave pritet të mbërrijë, lista me propozimet e grupit të parë të ambasadorëve të rinj.

As qeveria dhe as presidenca nuk pranuan të komentojnë emrat e ambasadorëve të rinj, pas një kërkesë nga Top Channel.

Por një prej deputetëve anëtarë i Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme në dijeni të propozimeve tregoi për gazetarin e Top Channel Muhamed Veliu se Ilir Gjoni aktualisht ambasador në Zvicër propozohet të shkojë ambasador në NATO pas daljes në pension të ambasadorit aktual Visho Ajazi Lika.

Vendin e Gjonit propozohet ta zërë analisti, Mustafa Nano i cili me parë ka qenë pjesë e shërbimit diplomatik.

Vendin e lënë bosh të ambasadorit në Emiratet e Bashkuara nga Ermal Dredha i cili kandidoi dhe fitoi si krye-bashkiak i Vlorës, propozohet për tu zëvendësuar nga Ridi Kurtezi aktualisht ambasador në Malin e Zi.

Ambasadorja e Shqipërisë në Holandë Adia Sakiqi, pritet te emërohet ambasadore në një tjetër shtet në BE.

Ish nënkryetarja e kuvendit Vasilika Hysi është përzgjedhur për drejtuar Misionin e Përhershëm të Shqipërisë pranë Zyrës së Kombeve të

Bashkuara në Gjenevë. Ndërsa diplomacinë shqiptare në kryeqytetin e Austrisë, Vienë pritet ta drejtojë ish deputeti socialist Fate Velaj.

Ervin Bushati ish deputet dhe ish drejtues i PS Tiranë, është favorit për të zëvendësuar ambasadoren Floreta Faber në SHBA.

Mbetet e paqartë nëse emri i tij është në listën e parë që pritet të mbërrijë në presidencë.

Procesi emërimit të ambasadorëve të rinj nis me propozimet e Ministrisë të Europës dhe Punëve të Jashtme, të cilat marrin aprovimit të kryeministrit i cili ia dërgon kuvendit.

Të gjithë të propozuarit për ambasador zhvillojnë dëgjesa në Komisionin Parlamentar për Punët e Jashtme. Pas miratimit nga ky komision, i vjen radha dekretimit nga presidenti Bajram Begaj.

Top Channel