Erdogan feston për pesë vitet e ardhshme në pushtet, por pa mbështetjen e të gjithëve

29/05/2023 10:07

Mbështetësit e Rexhep Tajip Erdogan festuan gjatë natës pasi presidenti për një kohë të gjatë i Turqisë siguroi pesë vite të tjera në pushtet.

“I gjithë kombi prej 85 milionësh fitoi,” u tha ai turmave brohoritëse jashtë pallatit të tij të madh, buzë Ankarasë.

Por thirrja e tij për unitet tingëllonte e zbrazët ndërsa ai tallte kundërshtarin e tij Kemal Kilicdaroglu – dhe sulmonte një lider kurd të burgosur dhe komunitetin LGBT.

Ai e përqeshi humbjen e kundërshtarit të tij me fjalët “Bye, bye, Kemal” – një këngë që u dëgjua edhe nga mbështetësit e tij në Ankara.

Erdogan përbuzi rritjen e numrit të deputetëve të partisë kryesore opozitare në votimin parlamentar dy javë më parë. Numri i vërtetë ka rënë në 129, tha ai, sepse partia u dorëzoi aleatëve të saj dhjetëra vende.

Ai dënoi gjithashtu politikat pro-LGBT të aleancës opozitare, të cilat tha se ishin në kontrast me fokusin e tij ndaj familjeve.

Lideri i opozitës nuk e pranoi në mënyrë eksplicite fitoren.

Duke u ankuar për “zgjedhjet më të padrejta në vitet e fundit”, zoti Kilicdaroglu tha se partia politike e presidentit kishte mobilizuar të gjitha mjetet e shtetit, kundër tij.

Presidenti Erdogan fitoi pak më shumë se 52% të votave, bazuar në rezultatet pothuajse të plota jozyrtare. Afro gjysma e elektoratit në këtë vend thellësisht të polarizuar nuk e mbështeti vizionin e tij autoritar për Turqinë.

Kilicdaroglu nuk ishte i barabartë me fushatën e mirë që zhvilloi Erdogan, edhe pse ai e çoi presidentin në raundin e dytë të balotazhit për herë të parë, që kur u zgjodh në këtë post më 2014-ën.

Por ai mezi e zvogëloi epërsinë e rivalit të tij në raundin e parë, duke mbetur me më shumë se dy milionë vota prapa.

“Nuk jemi vetëm ne që fituam, fitoi Turqia”, deklaroi Erdogan, duke i quajtur zgjedhjet një nga më të rëndësishmet në historinë turke.

Procesi i votimit u bë gjithnjë e më i egër. Në një incident, një zyrtar i partisë së opozitës u godit me thikë për vdekje përpara një zyrës elektorale në qytetin verior të Ordu. Motivi i vrasjes së Erhan Kurtit nuk ishte i qartë, por një zyrtar kryesor i opozitës fajësoi të rinjtë që festonin rezultatin e zgjedhjeve.

Megjithëse rezultatet përfundimtare nuk u konfirmuan, Këshilli i Lartë Zgjedhor tha se nuk kishte dyshim se për fituesin.

Është shumë e pazakontë që kompleksi i pallatit të hapej për publikun – por kështu ishte edhe ky rezultat, që i i jep Erdoganit pushtetin e një çerek shekulli.

Mbështetësit erdhën nga e gjithë Ankaraja për të shijuar fitoren. Kishte dhe thirrje islamike, ndërsa disa vendosën në bare flamuj turk dhe  luteshin.

Për një natë, kriza ekonomike e Turqisë u harrua. Një mbështetës, me emrin Seyhan, tha se e gjitha ishte një gënjeshtër: “Askush nuk është i uritur. Ne jemi shumë të kënaqur me politikat e tij ekonomike. Ai do të bëjë edhe më mirë në pesë vitet e ardhshme.”

Por presidenti pranoi se trajtimi i inflacionit ishte çështja më urgjente e Turqisë.

Çështja është nëse ai është i përgatitur pët të marrë masat e nevojshme. Me një normë vjetore prej gati 44%, inflacioni depërton në jetën e të gjithëve.

Kostoja e ushqimit, qirasë dhe mallrave të tjera të përditshme është rritur, e përkeqësuar nga refuzimi i Erdoganit për të respektuar politikën ekonomike ortodokse dhe për të rritur normat e interesit.

Lira turke ka arritur nivele të ulëta rekord ndaj dollarit dhe banka qendrore lufton për të përmbushur kërkesën në rritje për valutë të huaj.

“Nëse vazhdojnë me norma të ulëta interesi, siç ka sinjalizuar Erdogan, e vetmja mundësi tjetër është kontrolli më i rreptë i kapitalit,” paralajmëron Selva Demiralp, profesoreshë e ekonomisë në universitetin Koc në Stamboll.

Ekonomia ishte larg mendjes së mbështetësve të Erdoganit, të cilët flisnin me krenari për pozicionin e tij të fuqishëm në botë dhe për linjën e tij të ashpër në luftën kundër “terroristëve”, me të cilën ata nënkuptonin militantët kurdë.

Presidenti Erdogan ka akuzuar kundërshtarin e tij për përkrahje të terroristëve dhe e kritikoi atë për premtimin se do të lironte një ish-bashkëdrejtues të partisë së dytë më të madhe opozitare të Turqisë, HDP-së që është pro-kurde.

Ai premtoi gjithashtu se do t’i jepte përparësi rindërtimit në zonat e goditura nga tërmetet e muajit shkurt dhe do të bënte të mundur kthimin “vullnetar” të një milion refugjatëve sirianë.

Turmat u dyndën në sheshin Taksim të Stambollit, ku me shumë ishin të ardhur nga Lindja e Mesme dhe Gjiri.

Palestinezët nga Jordania mbështollën flamujt turq rreth shpatullave të tyre. Një vizitor tunizian, Alaa Nassar, tha se Erdogan nuk kishte bërë vetëm përparime në zhvillimin e  vendit të tij, “ai po mbështet gjithashtu arabët dhe botën myslimane”.

Me gjithë festimet, ideja e unitetit në këtë vend të polarizuar duket më larg se kurrë.

Që nga dështimi i grushtit të shtetit në vitin 2016, Erdogan ka “fshirë” nga sistemi qeverisës postin e kryeministrit dhe po i ushtron vetë të gjitha kompetencat, të cilat kundërshtari i tij ishte zotuar t’i kthente.

Opozita turke tani do të duhet të rigrupohet përpara zgjedhjeve lokale të 2024-ës.

Partia e Kilicdaroglu ka dy kryebashkiakë të njohur që drejtojnë Ankaranë dhe Stamboll – dhe njëri prej tyre mund të kishte pasur një shans më të mirë për të fituar garën presidenciale.

Top Channel