“Dëgjoni me vëmendje aleatët”, Rama: Sa më shumë zgjatet konflikti, aq më shumë lëndohet Kosova

29/05/2023 21:48

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas incidenteve në veri të Kosovës, ndërsa u bën thirrje krerëve të shtetit që të dëgjojnë aleatët që situata të mos rëndohet edhe më shumë.

Sipas Ramës, Kosova po lëndohet ndërkombëtarisht me këtë situatë të rënduar.

“Thirrja ime për t’i dëgjuar me vëmendje ata aleatë e për të mos u futur më thellë në shtegun jo vetëm të rrezikshëm, po edhe të kotë ku Kosova po lëndohet ndërkombëtarisht bashkë me ushtarët e KFOR-it që po lëndohen fizikisht, s’është thirrje ndërkombëtare po nevojë kombëtare!”, thotë Rama.

Nga ky udhëkryq, konflikti në Kosovë, sipas kreut të qeverisë, mund të dilet vetëm me dialog mes dy vende dhe me aleatë të fuqishëm.

“Nga ky udhëkryq ku konflikti kthehet e rikthehet çdo vit si produkt i të shkuarës, me Serbinë që ekspozon trupat në kufirin ku fuqia e saj është e barabartë me zero dhe Kosovën që ekspozon ngurrimin e saj për të finalizuar dialogun, dilet vetëm me dialog e me aleatë të fuqishëm”, thekson kryeministri.

Rama: Lëndimi i ushtarëve të KFOR-it ngarkon me përgjegjësi të drejtëpërdrejtë dhunuesit e tyre të verbër dhe fatkeqësisht lëndon Kosovën në sytë e aleatëve e miqve të saj të pazëvendësueshëm! Sa më shumë zgjatet ky konflikt i rrezikshëm dhe i panevojshëm, aq më shumë lëndohet Kosova! Nga ky udhëkryq ku konflikti kthehet e rikthehet çdo vit si produkt i të shkuarës, me Serbinë që ekspozon trupat në kufirin ku fuqia e saj është e barabartë me zero dhe Kosovën që ekspozon ngurrimin e saj për të finalizuar dialogun, dilet vetëm me dialog e me aleatë të fuqishëm! Thirrja ime për t’i dëgjuar me vëmendje ata aleatë e për të mos u futur më thellë në shtegun jo vetëm të rrezikshëm, po edhe të kotë ku Kosova po lëndohet ndërkombëtarisht bashkë me ushtarët e KFOR-it që po lëndohen fizikisht, s’është thirrje ndërkombëtare po nevojë kombëtare!

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, dënoi dhunën e përdorur gjatë protestave, ndërsa theksoi se nuk asnjë pretekst nuk mund të përdoret për të penguar zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.

“Dënoj ashpër keqpërdorimin e popullsisë serbe të Veriut të Kosovës dhe dhunën e papranueshme ndaj trupave paqeruajtëse të KFOR në Kosovë. Asnjë pretekst nuk mund të përdoret për të penguar zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, që tregon rrugën e duhur të zgjidhjes së problemeve të hapura dhe të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Askush nuk mund të vërë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës, si dhe të drejtën e saj për të ndërtuar e konsoliduar institucionet demokratike dhe multietnike. Por gjithashtu, i përsëris publikisht thirrjen time vëllazërore autoriteteve kosovare për më shumë durim e maturi dhe sidomos koordinim të ngushtë me partnerët tanë”.

Kujtojmë se BE-ja dhe NATO i bënë thirrje Prishtinës të frenohet. Ndërsa ambasadorët e vendeve më të industrializuara të QUINT-it, në Kosovë, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Franca, Italia dhe  Mbretëria e Bashkuar iu drejtuan me një apel të hapur autoriteteve të Kosovës të mos ndërmarrin asnjë masë të re për hyrjen me forcë në godinat e komunave me shumicë serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga ana e tij, tha se “i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë”, por shtoi se çdo opsion tjetër do të ishte “mospërmbushje e detyrimeve kushtetuese të Qeverisë ndaj kryetarëve të rinj”.

Tensionet u rindezën në komunat veriore të Kosovës pasi kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit u kundërshtuan nga serbët lokalë.

Qytetarët serbë protestuan në komunat e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviçit në veri të Kosovës, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe.

Policia e Kosovës ka raportuar se janë arrestuar pesë persona të dyshuar për sulmet dhe dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan.

Situata më e tensionuar gjatë gjithë ditës ka qenë në Zveçan, ku u desh ndërhyrja e KFOR-it për të shpërndarë turmën. Disa policisë të KFOR-it kanë mbetur të plagosur pasi u përballën sot me protestuesit, ndërsa këta të fundit kanë sulmuar edhe mediat.

Top Channel