Kjo verë duket ka për të qenë më e thatë dhe më e nxehtë nga sa mendohet, e Bashkimi Europian po i merr seriozisht paralajmërimet e ekspertëve të metereologjisë.
Për këtë arsye, blloku ka vendosur të dyfishojë numrin e pajisjeve në dispozicion për luftën kundër zjarreve pyjore, e pohuar nga komisioneri për menaxhimin e krizave, Janez Lenarcic.
28 pajisjet do të mund të përdoren për kriza në shtetet anëtare të bllokut europian, si dhe në vendet fqinje, u shpreh ai, duke shpjeguar se dhjetë avionët e tipit Canadair, 14 avionë të lehtë dhe katër helikopterë do të jenë gati për atë që pritet të jetë një “verë tejet e ngarkuar”.
“Ky vit ka nisur tashmë me më shumë thatësi se zakonisht, dhe këtë e kemi vënë re në Portugali, Spanjë e Francën. Nga ana tjetër në disa rajone, si veriu i Italisë ka pasur përmbytje pasi uji i grumbulluar nga reshjet e shiut nuk absorbohej lehtësisht nga toka e zhuritur. Kjo thatësirë e hershme e pazakontë, së bashku me temperaturat në rritje që po regjistrohen tani në Europë, janë padyshim nxitësi kryesor i zjarreve në pyje”, tha Leneracic.
Pasi viti 2022 solli verën më të nxehtë të regjistruar në Evropë, shefja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në shtator njoftoi për planin për dyfishim të flotës ajrore të zjarrfikësve. Flota është e shpërndarë në mënyrë strategjike në të gjithë BE-në, në mënyrë që të mund të përgjigjet shpejt kur flakët shpërthejnë në periudhën kritike nga qershori deri në tetor.
Avionët janë të stacionuar në dhjetë shtete anëtare: Kroaci, Qipro, Çeki, Francë, Gjermani, Greqi, Itali, Portugali, Spanjë dhe Suedi. Ky mekanizëm i BE-së u krijua në vitin 2001. Në dy dekadat e para, ai aktivizohej mesatarisht 20 herë në vit, ndërsa vetëm në dy vjetët e fundit, kjo është rritur në rreth 100 herë në vit.
Top Channel