Lidhja Demokratike e Kosovës dënon sulmet e grupeve kriminale ndaj forcave të KFOR-it, gazetarëve dhe objekteve të institucioneve të Kosovës në veri të vendit.

Sipas LDK-së, institucionet e Kosovës nuk duhet të bëjnë asnjë veprim pa koordinim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë.

Në reagim thuhet se sulmet e tilla të dhunshme dhe të paprovokuara nuk kanë vend në shtetet demokratike dhe duhet të ndalen menjëherë.

“Veprimet e matura politike janë të domosdoshme për të evituar çfarëdo përshkallëzimi të mëtutjeshëm të situatës e deri në shtensionimin e plotë të gjendjes, teksa institucionet e rendit dhe ligjit të sjellin të gjithë kryerësit e sulmeve të tilla para drejtësisë”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Sipas LDK-së, koordinimi i institucioneve të Kosovës me aleatët ndërkombëtarë është jetik në këtë situatë.

“Koordinimi me miqtë tonë ndërkombëtarë është jetik. Institucionet e Republikës së Kosovës duhet të sigurohen që asnjë veprim i mëtutjeshëm të mos bëhet pa koordinim të ngushtë me ta. Çdo moskoordinim mund t’i kushtoj pozicionit tonë politik dhe demokratik për paqe dhe stabilitet brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në reagim.

Top Channel